English

Koçi: Po deformohet procesi zgjedhor për krerët e qarqeve

E premte, 30 shtator 2011, NOA- Kryetari i partisë PSV ‘91 Petro Koçi, nëpërmjet një deklarate për mediat u shpreh se, procesi zgjedhor i autoriteteve drejtuese të qarqeve po shoqërohet me një korrupsion të shëmtuar politik për shkak të përpjekjeve të paskrupullta të qeverisë për të deformuar vullnetin e lirë të përfaqësuesve të opozitës në këshillat e qarqeve. “PSV denoncon paturpësinë e maxhorancës për të manipuluar edhe ndryshuar kreun e qarkut Fier të zgjedhur tashmë ligjërisht nga radhët e opozitës. Qeveria po bën përpjekje për të ndryshuar përfaqësimin në qark të këshillave të bashkive Fier e Patos, të komunës Levan etj., e për të zëvendësuar përfaqësuesit e opozitës me ata të qeverisë me qëllim grabitjen e mandatit të kryetarit të qarkut. Presioni mbi këshilltarët socialistë të opozitës me kërcënime për largim nga puna dëshmon ndotjen thuajse të pakorrigjueshme të moralit qeverisës të Partisë Demokratike”, u shpreh Koçi. Sipas tij, ky proces është i dënueshëm jo vetëm moralisht por edhe penalisht pasi po ndërmerret me urdhër nga lart dhe po ekzekutohet me një krenari primitive. Ai shtoi se ndërkohë opozita duhet të nxjerrë mësime dhe të distancohet nga bashkëpunëtorët e këtij procesi brenda radhëve të saj, të cilët për interesat e tyre financiare kanë përfshirë në listat e këshilltarëve njërës pa kritere përfaqësuese. Petro Koçi përfundon qëndrimin e tij duke thënë se, korrupsioni transparent qeveritar me zgjedhjet lokale nuk u ngop dot me vjedhjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, por vazhdon edhe këto ditë me zgjedhjet në qarqe. a.y/NOA

Në foto: Petro Koçi

KOMENTE