English

Kriza evropiane, ndikim në SHBA

Ripërtëritja ekonomike amerikane tash ballafaqohet me dy pengesa. Për fat të keq, ato janë të konsiderueshme: politika e thyer e Shteteve të Bashkuara dhe politika e thyer e Evropës

Nga "The Washington Post"

Duke pasur parasysh polarizimin e skajshëm të klasës politike të Shteteve të Bashkuara, çfarëdo aksioni pozitiv në ekonomi mund të kërkojë zgjedhje më të qarta presidenciale. Por, matanë Atlantikut, testi ka ardhur tash. A mund të mbajë Evropa një rënie financiare, të pashmangshme tek anëtarët e saj më të dobët?

Paaftësia greke për t’i kryer obligimet e veta kreditore, do të ndodhë, sikur që ndodhi në vitet 1826, 1843, 1860, 1894 dhe 1932.

Gjermanët nuk do të vazhdojnë t’i ndihmojnë fqinjët e tyre të ndjeshëm, derisa të mos ekzistojë ndonjë konsekuencë për papërgjegjësi.

Tash papërgjegjësia është produkti kryesor ekonomik i Greqisë.

Prandaj, qëllimi afatshkurtër është që të menaxhohet rënia financiare greke, e njëherësh të krijohet një mbrojtje rreth pjesës tjetër të Bashkimit Evropian.

Por, problemi është se mbrojtjet e tilla mund të kapërcehen lehtë gjatë panikut financiar.

Presidenti i Bankës Botërore, Bob Zellik, tha se “Greqia është afro 2% e GDP-së evropiane, por nëse nuk menaxhohet me kujdes, mund ta ketë një efekt sikur Lehman”.

Greqia, jo vetëm që nuk është e aftë t’i paguajë borxhet e veta, por nuk është e aftë ta mbajë standardin aktual të jetesës, derisa të mos bëhet më konkurruese në tregjet globale.

Portugalia, ndoshta është në kategorinë e njëjtë. Në këtë moment, Spanja dhe Italia nuk janë në këtë kategori. Atyre u mungojnë parat e gatshme për pagesën e borxheve, por nuk u mungon kapaciteti afatgjatë për t’i plotësuar obligimet e tyre, së paku në një shkallë të arsyeshme të interesit.

Paniku financiar mund ta ndryshojë gjatë natës. Investuesit do të shkojnë tek investimet më të sigurta se fletë-obligacionet spanjolle dhe italiane.

Shtrohet pyetja se kush do ta shpëtojë Evropën?

Disa kanë përmendur Kinën si mundësi - vend me para të mjaftueshme në dorë.

Por, Bob Zellik nuk pajtohet me këtë, duke thënë se “roli i Kinës si shpëtimtar i Eurozonës është i tejçmuar. Kina heziton të shpenzojë para për t’i financuar kreditë e paqarta, kur të ardhurat për kokë banori janë pak mbi 4 mijë dollarë, ndërsa ato në Evropë më tepër se 38 mijë dollarë”.

Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara e kishin ndihmuar rimëkëmbjen e institucioneve financiare evropiane. Por, vetëm Evropa mund t’i shqyrtojë problemet e theksuara. Përgjigjja e saj, deri tash, ishte rritja në vend të vendosmërisë.

Fondet për ndihma, që i ka krijuar, ishin shumë të vogla.

Problem afatgjatë i Bashkimit Evropian janë të metat strukturore. E ka monedhën e përbashkët, por jo edhe sistemin për të siguruar se anëtarët individualë janë përgjegjës në aspektin fiskal.

Kriza matanë Atlantikut do të shkaktojë rënie të pasurisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Por, Bob Zellik thotë se “problemi i Shteteve të Bashkuara nuk është aq serioz sa ai në Evropë”.

Vështirësia është se problemi i Evropës mund t’i bëjë më komplekse problemet.

KOMENTE