English

Letër e Hapur nga familja e gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi

Tiranë, 30 Shtator 2011 NOA/ Ariola Ymeraj - Familja e gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi, i drejtohet me një letër të hapur, Presidentit të Republikës Bamir Topi, Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi dhe Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Në këtë letër të posacme dërguar përfaqësuesve të lartë të sistemit të drejtësisë, familja Konomi apelojne te zbardhet vrasja e Skerdilajdit, duke paralajmeruar se "kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën". Më poshtë agjencia NOA publikon letrën e plotë: Duke ju falënderuar për solidaritetin e shprehur ndaj familjes se gjykatësit Skerdilajd Konomi dhe për angazhimin publik kundër aktit të rëndë që i mori jetën djalit tonë, po ju drejtohemi në këto momente të vështira si përfaqësues dhe garantuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Duke u nisur nga zotimi juaj se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë, ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet.

Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën. Nga çfarë dihet deri më sot, pronat e trashëguara nga familja, të cilat janë njohur dhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë, përbëjnë pistën kryesore te hetimeve.

Nisur nga kjo, frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetën mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme.

Gjetja e fajtorëve të vrasjes së Skerdilajdit dhe finalizimi i proceseve te pronësisë konform ligjit, do të lehtësojnë dhimbjen e familjarëve dhe do të japin një shembull të shkëlqyer të mirëfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi, dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht çdo akti kriminal që synon të pengojë drejtësinë.

Me besim në punën dhe angazhimin tuaj në zbatim të ligjit, ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë për ne dhe për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate", përfundon letra e familjes Konomi. a.y/NOA

KOMENTE