English

Orët e fundit në krye të shtetit, Topi në krye të një partie të re

Largimi nga Presidenca është çështje kohe për kryetarin e shtetit, Bamir Topi. Ai tashmë e ka mëse të qartë se nuk do ta shijojë dot dy herë rresht postin e Presidentit. Sepse mazhoranca që e votoi tashmë nuk është më me të. Surprizat kurrë nuk duhen anashkaluar, por ajo që Topi tashmë pranon, është se nuk do të rizgjidhet si President ndaj është duke intensifikuar hapat për të qenë lider politik. Këtë Topi po planifikon ta bëjë duke krijuar një parti të re. Ndonëse nuk mungojnë dyshimet se mund të dalë publikisht në radhët e Aleancës kuq e Zi, apo dhe marrjes së “kalasë” nga brenda, pra PD-së. Të gjitha janë të mundshme sikundër u shpreh edhe Presidenti mbrëmë në një intervistë që i dha Top Channel-it, pjesë të së cilës i gjeni më poshtë:

Rikthim në politikë E aprovoni qëndrimin e Aleancës Kuq e Zi për çështjen e regjistrimit të popullsisë? Unë e kam konsideruar një lëvizje vullnetare qytetare në të drejtën e tyre për të demonstruar një shqetësim. Është aluduar shumë, bile ende mund të aludohet se pas kësaj Lëvizjeje është Presidenti. T’i themi gjërat drejtpërdrejt, ashtu siç janë. Ka mjaft aludime, ka edhe nxitime për të bërë deklarime, natyrisht janë totalisht të paragjykuara. Unë kam demonstruar dhe do të vazhdoj të demonstroj një kompatibilitet shumë rigoroz në funksionet e mia si President. As kam qenë, as jam dhe as do të jem pjesë integrale e një lëvizjeje të tillë që është aluduar, është sulmuar, është paragjykuar. Jam shumë koherent i deklaratave. Keni thënë, në vitin 2007, se nuk është çudi t’i riktheheni politikës aktive… Janë tre elemente që kam thënë, aktiv, i fortë dhe s’është çudi. Vazhdoj të jem i fortë, vazhdoj të jem aktiv dhe s’është çudi. Sa më afër jemi në përfundim të mandatit, kjo “s’është çudi” merr një karakter afirmativ. Pra po? Natyrisht që po. Njeriu asnjëherë nuk mendon për perspektivën sa i përket kondicionit fizik, shëndetësor, sepse nuk varet nga ne. Sa kohë, fatmirësisht, jam i fortë dhe aktiv, çudia kthehet në afirmacion, pra në “po”. Një eksperiencë politike, institucionale, profesionale dhe mbi bazën e asaj që unë testoj, është një moshë kur njeriu, jo thjesht për interesa të natyrës së karrierës, por për t’i shërbyer vendit, shoqërisë, njeriu është gjithmonë i gatshëm. Çështja e politikës është një çështje e tregut, siç funksionojnë rregullat e tregut, funksionon dhe politika. Nëse njeriu e sheh që ka për të dhënë dhe sheh një ambient pozitivi absorbues nga mjedisi, nuk ka pse largohet dhe duke vënë në shërbim të interesit të përgjithshëm të gjithë eksperiencën personale. Kur thoni që do të riktheheni në politikë, nuk besoj se mendoni rikthimin në PD? Opsionet janë nga më të ndryshmet. Nuk mendoj që të jeni kaq egoist sa të ezauroni brenda një emisioni tuaj të gjitha opsionet e mundshme. Unë jam për të gjitha opsionet e mundshme kur njeriu ndihet i realizuar. Orientimi është i qartë, jeni ulur dhe në të djathtë të ekranit? Unë jam shumë i kujdesshëm në përpunimin e analizës. Prerazi dhe qartë unë i takoj së djathtës. Kjo nuk është për të qenë luajal me formimin tënd individual. Këtu janë disa gjëra që kondicionohen nga tradita familjare, nga shumë momente të rëndësishme historike, por edhe çështje të principialitetit, të luajalitetit me veten në radhë të parë, por edhe me mjedisin. Qenia President të detyron të jesh shumë i ekuilibruar dhe President për të gjithë. Sa u takon bindjeve, ato janë personale. Për të mërzitur edhe disa që kanë menduar se mund të kenë arritur të identifikojnë diçka tjetër: Jo. Kjo është pjesë organike shumë gjenetike e bindjeve të mia, e familjes sime, e gjithë rrethit farefisnor, për të gjitha vlerat që jep filozofia e një të djathte moderne, të qëndrueshme, që sjell prosperitet për vendin. A është dikush që duhet të frikësohet nga një formacion i djathtë i Bamir Topit nesër? Unë shpreha bindjet e mia dhe nuk shpreha këtu asgjë tjetër që ka të bëjë me një projekt. Ajo mbetet për ta analizuar ju, për ta parë dhe mbetet për ta vendosur unë. Kur do ta vendosni, është korriku i 2012-s? Sot jam President dhe dua të huazoj një fjalë që e kanë për zemër komshinjtë tanë përballë, italianët: “Kurrë mos thuaj kurrë”.

Për ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë nga Edi Rama

A duhen rishikuar ndryshimet kushtetuese të 2008-s, a duhet rishikuar Kushtetuta? Unë jam shprehur qartë para pak kohe se nuk do të jem pjesë e debatit politik për çështjet kushtetuese. Por, duke vazhduar intervistën e para 3 vjetëve, do të thosha se nuk ka tabu nëse partitë, institucionet dhe miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë do të mendojnë se duhet ndryshuar diçka që të jetë kompatibël, duhet të ndryshojë. Por unë e kam konsideruar si ekskluzivitet të partive politike parlamentare sepse ka dhe një mekanizëm tjetër, ai referendar, por partitë tona politike nuk e kanë shumë dëshirë referendumin.

Presidenti tjetër, i zgjedhur nga populli

Zyra juaj, pas vizitës në Vjenë, u kujdes të theksonte suksesin e Presidentit Fisher si president i zgjedhur nga populli. I qëndroni idesë së Presidentit nga populli? Ju e dini se unë jam konstant, koherent dhe modeli i Presidentit Fisher nuk është i vetmi. Pjesa më e madhe e presidentëve në Ballkan zgjedh President nga populli. Sa më shumë modeli politik polarizohet dhe modeli bipolar pas ndryshimeve kushtetuese ka sjellë tension politik, unë i qëndroj variantit se modeli i zgjedhjes së Presidentit nga populli është modeli më i mirë. Ky model nuk është i kushtëzuar as me ndryshimin e kompetencave. Nëse do të kishim një ndryshim kushtetues ku Presidenti të zgjidhej nga populli, ju do të merrni pjesë në këtë garë, qoftë dhe jashtë propozimeve të dy partive të mëdha? Unë nuk do dëshiroj ta bëj këtë bisedë në planin hipotetik dhe çdo lloj sfide politike është e pranueshme për mua, është një vendimmarrje që merret në funksion të kohës. Duke qenë hipotetike nuk dua që ndokush t’i etiketojë si Donkishoteske.

Raportet me Edi Ramën

Çfarë raportesh keni me Edi Ramën, a ka një komunikim mes jush? Me Edi Ramën kemi pasur marrëdhënie konstante të karakterit shumë institucional. Nuk kam pasur ndonjë miqësi me Edi Ramën as kur kam qenë në Parlament. Në detyrën time si President, takimet tona kanë qenë publike, madje çdo takim të këtij niveli unë e bëj të dukshëm për publikun, sepse ndjeshmëria dhe deformimi vjen amplifikohet dhe merr karakter jo real.

Për grupimet brenda PD

"Besnik Mustafaj thotë se ka votuar hapur kundër ndryshimeve kushtetuese. Është quajtur një deputet i pakicës bllokuese. Më vonë u pa qartë se kishte një lloj hakmarrje ndaj këtyre njerëzve që patën kurajo të thonin fjalën e tyre, duke mos u përfshirë në lista". Për një pakicë bllokuese brenda PD

"Ndonjëherë ju të medias dini më shumë se ç’dimë ne. Asnjëherë raportet tona me miqtë e mi nuk kanë qenë kondicionale për të vepruar ndryshe. Unë i inkurajoj gjithmonë ata që vendimet politike brenda grupit parlamentar të respektohen. Kam marrëdhënie miqësore me ta, por jo kushtëzuese".

Për dështimin në marrjen e statusit

"Lajmi për dështimin e marrjes së statusit, nëse është i vërtetë, pasi akoma nuk është konfirmuar, është për të ardhur keq. Politikanët po demonstrojnë për fatin e keq se janë interpretues të këqinj të dëshirës së qytetarëve shqiptarë për integrimin në BE. Klima politike në Shqipëri të mbush me trishtim, pasi kemi një lloj retorike neveritëse mes politikanëve. Politika si duket jeton ndryshe dhe i merr ndryshe mesazhet e qytetarëve. Sot opinioni shqiptar është zhgënjyer me mënyrën e sjelljes së politikës. Tensioni mes politikës është në maksimum dhe këtë e vë re nga shumë episode. Unë nuk prirem të flas kur më sulmojnë personalisht. Kam qenë politikan etik në PD dhe e njoh mirë atë parti". Për votën e tij më 8 maj

"Nuk ia vlen që të futem në diskutime për votën e presidentit, pra timen, por kur tentohet të preket një votë (vota e presidentit), atëherë do të thosha që asnjë qytetar nuk është i sigurt nga mosprekja e votës. Kjo është një vepër e dënueshme. Vota është personale. Në rast se dikush kërkon të na censurojë në këtë pikë, atëherë situate bëhet vërtet serioze. Unë nuk kam dashur të bëj kauzë publike atë që është personale dhe vota është personale".

“21 Janari”

Si u ndjetë kur dëgjuat Kryeministrin të përdorë fjalët “horr dhe lavire bulevardi”? Së pari, një humbje kontrolli është e dukshme një mungesë totale e etikës qytetare, që do të ishte patjetër e kritikueshme dhe për një qytetar të thjeshtë, pa pozicion. E thënë nga ai pozicion, nga ai ambient, e marrë në kontekstin e sulmit të nënkuptueshëm për kreun e shtetit dhe për kryeprokuroren, pastaj kalon çdo lloj limiti. Kalimi në sulme kaq virulente, natyrisht, të bën që tjetrin ta mëshirosh, sepse kur del nga kontrolli të bën ta mëshirosh. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur kjo vjen edhe për një ish-koleg me të cilin ke ndarë aksionin politik, kur ke punuar dhe luftuar së bashku për çështje kaq të rëndësishme dhe të ndryshosh së paku fjalorin dhe komunikimin, kjo nuk do të ishte e absorbueshme për askënd. Ju pyesni si u ndjetë? Unë kam parë shumë situata, kam parë se si janë larguar personalitete mjaft të rëndësishme nga bashkëpunëtorë shumë të ngushtë për të cilët janë hedhur elozhe të mëdha në publik dhe të nesërmen kanë dalë tradhtarë. Pra, në një farë mënyre, një inerci e një mentaliteti arkaik. Problemi është se sot, përderisa flasim për një komunikim evropian, e thashë në fillim të bisedës, duhet ta demonstrojnë politikanët e vijës së parë. Ngjarja e etiketuar “në bulevard”, natyrisht për Bulevardin e Tiranës, do të doja të bëja një analizë pak më të hollësishëm. Është Bulevardi i Tiranës dhe një qytetar i vjetër i Tiranës, para se të jetë zotëri bulevardi, është qytetar i dy familjeve shumë të vjetra të Tiranës. Bulevardi i parë në nocionin fizik, që do të thotë nocioni urbanistik-arkitektonik; nocioni i dytë është nocioni historik, kulturor. Unë do të thosha që në vitet e komunizmit kanë qindra e mijëra të rinj dhe intelektualë të Tiranës e kthyen bulevardin në institucionin e disidencës qytetare. Aty bëheshin biseda, aty shikoheshin diferenca me një qytet të ndaluar, siç ishte “Blloku” dhe qytetarët e Tiranës – unë personalisht kam një memorie shumë të fortë – kam parasysh se të rinjtë e Tiranës kalonin në monotoni të plotë orët e darkës, ndërsa pak zotërinj arrinin të futeshin me shumë krenari në qytetin e ndaluar. Pra, çdo lloj demagogjie në këtë punë është absolutisht e papranueshme për qytetarët. Sa i përket nocionit arkitektonik dhe urbanistik, zotërinjtë që janë marrë me pozicione shumë të rëndësishme, nuk kanë arritur të bëjnë edhe pas 70 vitesh një gjë të ngjashme me bulevardin, nuk kanë arritur të kenë 1/10 e vizionit të administratës së Zogut. Ju e dini fare mirë se kur erdhi një vizitor i huaj, tha se “unë kam parë qytete pa rrugë, pa bulevard, por s’kam parë bulevard pa qytet”. Tirana ishte e fshehur në kopshtet e veta, me shtëpitë e ulëta, por ishte një qytet. Pra kishte një vizion dhe aplikim të një vizioni shumë perëndimor. Sot e kësaj dite, të gjithë ata që merren me detyra shumë të rëndësishme nuk janë në gjendje të implementojnë një projekt të tillë, dhe kjo është për turpin e gjithsecilit. Kur flasim për Bulevardin e Tiranës, duhet të dini edhe diçka tjetër, familjet nga rrjedh kanë dhënë trojet e tyre për t’i dhënë jetë qendrës administrative të Tiranës. Pra, të atakosh një identitet është e papranueshme nga të gjitha cilësitë që thashë. Aty ku sulmohet identiteti, do të thotë që meraku është shumë i madh. Megjithatë, kanë kaluar 8 muaj nga 21 janari, politikisht e quajtët ngjarje bulevardi; sot, çfarë do t’i kishit ndryshuar asaj deklarate? Në institucionin e Presidentit kanë ardhur palët politike për të gjetur pajtimin dhe Presidenti, me një detyrë që i është dhënë jo vetëm nga Kushtetuta, por dhe nga faktori ndërkombëtar, ka luajtur rolin e interlokutorit për të qetësuar ujërat. Pra, nëse ky lloj konfliktualiteti precipitoi në një dhunë të papranueshme ndaj institucioneve të shtetit dhe forcave të rendit, natyrisht, kjo është dhunë dhe askush nuk mund të justifikojë dhunën. Ne patëm dhe katër të vrarë që janë vazhdim i një dhune. Këto janë probleme që sot i takojnë Drejtësisë, por në profilin e një qytetari, asnjëherë dhuna fizike, por dhe ajo verbale, janë të papranueshme. Sot unë do të jepja të njëjtin mesazh, që dhuna verbale që shikohet vazhdimisht në Parlament, sot pamë dhe tensionim të dukshëm në Parlament. Një çështje mund të trajtohet mbi bazën e argumenteve, fakteve dhe pa tension, nuk ka nevojë të shkojë me dhunë. Për profilin dhe eksperiencën time, kam qenë mediator për të ulur tensionet, aq më shumë në rolin e Presidentit të Republikës. Unë u bëj apel palëve të ulin tensionin, të nisin komunikimin dhe të prodhojnë ligje dhe stabilitet që kërkohet dhe nga Brukseli.

Për Guvernatorin e ri

Shumë shpejt pritet të propozoni emrin për guvernator të Bankës. A keni një emër në mendje? Sa shanse ka Fullani? Do të propozoni kandidatura që mund të vijnë nga e djathta, por edhe nga e majta? Pa u futur në emra, ka një rregull kushtetues, do të zgjidhet Këshilli Mbikëqyrës dhe do të ekstraktohet. Pa e lidhur me momentin e nominimit, unë kam pasur konsideratat e mia për zotin Fullani. Natyrisht, këto janë vrojtime të karakterit institucional, por edhe personal, por që jo domosdoshmërisht lidhen me një nominim të tij në atë institucion. Loja është e hapur, sepse do të ishte gabim të mendonim se ka vetëm një figurë. Jo, loja është e hapur. Në konsideratat e mia, Fullani, pavarësisht se për çdo individ ka edhe kritika, në analizën time ka qenë përgjithësisht i suksesshëm.

Për kabllogramet mbi goditjen me gurë të presidencës nga përkrahësit e Berishës "Presidenti, gjithçka që zhvilluar, një bisedë mëse normale, i ka pjesë të materialeve të protokolluara në institucionin e presidentit. Çdo gjë që është thënë në atë kontekst, patjetër që ka vërtetësi. Nëse bëhen komente se si vijnë informacionet, sa bazë reale kanë ato, asnjëherë nuk thuhet se ato janë të certifikuara nga shërbimet".

KOMENTE