English

Qeveria federale Berisha-Meta

Kjo qeveri federale në të vërtetë nuk është se ndan djallin nga engjëlli. Të dy palët funksionojnë njësoj, pra të dy palët e quajnë pushtetin e tyre si mandat për të plaçkitur. Problemi është se duke qenë e federalizuar si qeveri, pra duke qenë të ndarë në sinoret e plaçkitjes, ata nuk ndikohen më nga opinioni publik Nga Mero Baze Problemi real i kësaj qeverie mbetet fakti se koalicioni i Sali Berishës me Ilir Metën është kthyer në një lloj qeverie federale, ku Meta qeveris 20 përqind të Shqipërisë dhe Berisha 80 përqind të saj. Ndarja formale e pushtetit është kthyer në një ndarje reale të pasurive kombëtare të Shqipërisë. Berisha mund të ketë zili ose të revoltohet me ato që bën Ilir Meta, por ai nuk ka asnjë fuqi ta ndalë atë. Bile dhe shumë bashkëpunëtorë të Berishës, të cilët ai nuk ka dëshirë t’i afishojë si të tillë, po gjejnë strehë tek pushteti i pavarur i Ilir Metës në qeveri. Rasti i skandalit të skrapit është tipik. Në Fier, në dy nga ish- uzinat më të famshme të kohës së komunizmit, ka filluar çmontimi i çdo cope hekuri, ende pa mbaruar tenderi dhe po grabitet me një çmim 40 herë më të lirë pasuria e shqiptarëve. Uzina ruhet nga vëllai i Ministrit, skrapi mblidhet dhe transportohet nga vëllai i deputetit të LSI dhe gjithë operacionin e komandon vetë Ilir Meta. Berisha, i cili shpikte dhe ato që nuk kishin kusure vëllezërit Koka vite më parë, nuk ka fuqi as t’i zërë në gojë në këto momente. Ata që ai i quante Klani i Zemunit, tani janë biznesmenë që fitojnë në emër të pushtetit të tij në rrugë të pandershme. E njëjta histori e shëmtuar skrapi lidhet dhe me Fahri Balliun. Ai ka ndërmjetësuar për një kompani ruse pranë ish- Ministrit të Ekonomisë duke i premtuar pare, dhe më pas e ka realizuar operacionin duke ua dhënë rusëve atë që kanë kërkuar. Vepër më të pastër penale për prokurorinë për kapje shteti nuk ka. Balliu i ka fituar këto privilegje duke komanduar gjithçka nga shtëpia e Ilir Metës. Sali Berisha “ky patriot” që pretendon të na çojë drejt Perëndimit, në fakt i ka hapur rrugën mafies ruse dhe asaj ish- jugosllave në çdo segment të ekonomisë. Por jo vetëm skrapi, por dhe sektorë të tjerë të ekonomisë që komandohen prej Ilir Metës janë jashtë kontrollit të pushtetit qendror. Qeveria federale Berisha- Meta, dita- ditës po mbijeton mbi ndarjen e plaçkës në ekonominë kombëtare dhe në bashkëpunimin e tyre vetëm kundër ndonjë veprimi të mundshëm të drejtësisë. Kjo qeveri federale në të vërtetë nuk është se ndan djallin nga engjëlli. Të dy palët funksionojnë njësoj, pra të dy palët e quajnë pushtetin e tyre si mandat për të plaçkitur. Problemi është se duke qenë e federalizuar si qeveri, pra duke qenë të ndarë në sinoret e plaçkitjes, ata nuk ndikohen më nga opinioni publik. Mund të botosh çfarë të duash për Ilir Metën, për ministrat e tij, për tenderë korruptivë, për monopol ilaçesh, për skandale skrapi apo licenca hidrocentralesh, dhe asgjë nuk ndodh. Fuqia e tij qëndron tek fakti se palës tjetër i duhet për numër dhe kjo e bën të paprekshëm. Po ashtu funksionon dhe pala e Berishës. Edhe pse ata janë më të ndjeshëm për të qenë përgjegjës për këtë situatë, qeverisja e ndarë nga LSI u jep sigurinë se asgjë nuk e rrëzon dot pushtetin e tyre dhe për këtë sillen me Shqipërinë si pronë private. Ata kanë kuptuar fare mirë një gjë, që interesi për të plaçkitur të ndarë, në 80 dhe 20 për qind, është shumë më i fortë se sa çdo rrezik që mund t’i kanoset kësaj qeverie për plasaritje. Të gjithë e dinë se paprekshmëria e Ilir Metës nga drejtësia është një garanci për paprekshmërinë e çdo ministri që vjedh apo plaçkit. Standardet e pandëshkueshmërisë që ka vendosur kjo qeveri janë rekord. Në këtë vend duhet të vrasësh së paku mbi 26 vetë në një biznes politik që të kesh shans të dënohesh. Në këtë vend duhet të vrasësh mbi katër protestues paqësorë që të dënohesh. Në këtë vend si ministër duhet të vjedhësh mbi 230 milionë euro që të dënohesh, në këtë vend duhet të flasësh për afera mbi 5 milionë euro në 3 minuta që të ndëshkojë gjykata. Standardi që ka vendosur Berisha me mosndëshkueshmërinë dhe ndarja e pushtetit për të plaçkitur secili me vete me Ilir Metën, e bën qeverinë e tij federale, më uniken në botë, ku njëra palë mban tjetrën dhe të dyja mbajnë pushtetin duke qenë në pakicë. Fuqia reale e një kryeministri dëshmohet tek liria që ai ka për të pasur nën kontroll pushtetin e vet. Fakti që Berisha kontrollon me dorë të hekurt për interes të Familjes së tij vetëm 80 përqind të pushtetit dhe nuk ka asnjë fuqi mbi pjesën tjetër, e bën atë një partner me kryeministrin Ilir Meta, i cili selinë e qeverisë së tij e ka zhvendosur në Lalëz, dhe biznesmenët e oborrit të tij po i bën milionerë me arrogancë dhe fuqi prej një kryeministri të vërtetë. Partner me të është Sali Berisha, që si shumë burra që i lë fuqia dhe i shtohen fjalët, po merr dita- ditës portretin e një plaku llafazan dhe anekdotik, që përpiqet të fshehë faktin që është bashkë-kryeministër me Ilir Metën. * Dërguar nga autori, botues i "TemA"

KOMENTE