English

Topi me Albin Kurtin: Të shtohen marrëdhëniet mes dy vendeve

Tiranë, 30 shtator, NOA – Marrëdhëniet parlamentare mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të intensifikohen më tepër. Kjo është deklarata që ka bërë dje Presidenti i Republikës, Prof. Dr, Bamir Topi, në takimin me delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i këtij Komisioni dhe drejtuesi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Topi vlerësoi nivelin të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona, duke shprehur vullnetin e bindjen për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të tyre. Ai theksoi se vizita të tilla i shërbejnë marrjes dhe shkëmbimit të përvojës dhe rritjes së bashkëpunimit parlamentar. Nga ana tjetër, kreu i shtetit ka theksuar se është e rëndësishme që Kosova të konsolidojë përpjekjet për krijimin e një shteti multietnik. “Përpjekjet pozitive e serioze të shtetit e qeverisë kosovare janë evidentuar kryesisht edhe gjatë procesit të tanishëm të bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve teknike mes dy vendeve, me synim funksionimin sa më mirë të një shteti demokratik dhe multietnik me institucione të konsoliduara”, tha ai. Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Komisionit të Punëve të Jashtme që përfaqësonin Partinë Demokratike të Kosovës, Aleanca për Ardhshmërinë e Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe Koalicionin për Kosovën e Re nëpërmjet Partisë për Drejtësi, duke e falenderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë e dhe vlerësuan kontributin personal e të efektshëm të Presidentit Topi dhe të institucioneve të Shqipërisë për mbështetjen e pakursyer dhe përpjekjet e vazhdueshme për rritjen e numrit të njohjeve të shtetit të ri të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kurti u shpreh se se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në ecurinë e reformave të saj për forcimin e shtetit, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane, njofton zyra e Shtypit e Presidencës. a.k/NOA

KOMENTE