E premte, 30 shtator 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi priti sot në takim pjesëmarrësit në Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore të Europës. Presidenti Topi i falënderoi të pranishmit që për jubileun e 40-vjetorit të themelimit të Konferencës Ipeshkvnore Evropiane, zgjodhën Tiranën. “Dëshiroj të rikujtoj se takimi juaj përkon me 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Vatikanit, pikërisht në shtator të vitit 1991. 20 vite më parë, në Shqipëri besimi tek Zoti ka qenë i ndaluar me ligj. Fetë dhe Kleri në Shqipëri u përballën me njërën prej diktaturave më të egra të kohës duke dëshmuar se filozofia e dashurisë mbi dhunën, e lirisë mbi tiraninë, triumfoi. Në këtë përballje Kisha Katolike u martirizua si në kohën e katakombeve, por martirët e saj i bëjnë nder kombit, i bëjnë nder Kishës Universale. Ata besuan se aty ku është shpirti i Zotit, aty është liria”, u shpreh Topi. Sipas tij marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Vatikanit kanë rrënjë të hershme në histori dhe e kanë ngjizjen e tyre të madhe në shekullin e 14-të me aleancën ndërmjet Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë, ndërsa kujdesi i Vatikanit ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar ka qenë i vazhdueshëm gjatë gjithë etapave të vështira të historisë, në përpjekje për liri, pavarësi dhe integritet territorial. Kreu i Shtetit kujtoi se shqiptarët, pa dallim feje, ruajnë të paharruar në kujtesën e tyre vizitën e Papa Gjon Palit të Dytë në Tiranë, në 24 prill të vitit 1993, duke shprehur nderim për figurën e tij për besimin e fortë, për përvojën e tij unike në histori, për mesazhet e tij të paqes e të lirisë si dhe kontributin e tij të çmuar për çlirimin e popujve të Lindjes nga barbaria e komunizmit. Topi theksoi se Kisha Katolike shqiptare ka dhënë një kontribut të vecantë në vendosjen e një klime paqësore dhe bashkëjetese mes besimeve në Shqipëri, si një pasuri e madhe kombëtare, që është ruajtur dhe trashëguar në breza nga krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se, “Sot, Shqipëria është një vend demokratik e laik, mikpritës dhe respektues i të gjitha besimeve, anëtar i NATO-s, e vendosur në perspektivën e integrimit europian. Prandaj shpreh bindjen time të plotë se Vatikani në vijim të traditës së tij historike në sintoni me proceset demokratike e integruese, do të jetë si gjithmonë në krah të përpjekjeve të popullit shqiptar, i cili dëshiron të zërë vendin e tij në familjen e përbashkët europiane”. a.y/NOA
Në foto: Presidenti Bamir Topi