Tiranë, 30 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth ishte i pranishëm në takimin e me bordin e drejtuesve të shoqatës Biznes Albania. Në fjalën e mbajtur me këtë rast ai tha se misioni i OSBE-së është që të ndihmojë në vendosjen e Shtetit të së Drejtës gjë që ndihmon në zhvillimin e biznesit. Sipas tij, kjo do të thotë të ndihmojë zhvillimin e biznesit të lirë dhe konkurrent, jo vetëm për të gjeneruar fitime, por edhe për të ndihmuar në zhvillimin e vendit. Ai theksoi se edukimi është gjithashtu një element i rëndësishëm për integrimin në strukturat Europiane. “Integrimi në botën globale dhe në Europë janë objektiva kryesore për Shqipërinë, ndaj dhe duhen marrë hapa të rëndësishëm, e një prej tyre është edhe Gjykata Administrative. Jam i sigurt që ju këtu në Biznes Albania do të bëni hapa për të lehtësuar biznesin, edhe për të zgjidhur problemet ende të hapura. Rëndësi të madhe ka respektimi i ligjit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe për të pasur një proces sa më transparent. Një shembull i rëndësishëm janë tenderët publik apo lejet e ndërtimit, apo koncesionet. Është një listë e gjatë. Rëndësi ka që të jetë një situatë konkurruese dhe ku të gjitha palët të dalin të fituara”, u shpreh Wollfarth. Më tej ai tha se si për një individ edhe për një biznes ka rëndësi që të ketë fitime për të mbijetuar dhe për të qenë konkurrues, dhe ky është edhe emri i lojës, por shtoi se në afat gjatë fitimi më i mirë është ai që arrihet në përputhje me Shtetin e së Drejtës. Sakaq ai e cilësoi inkurajuese ecurinë e zhvillimit të ekonomisë në Shqipëri me sipërmarrje të lira duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së biznesit të lirë në politikat e një vendi të lirë si Shqipëria. Wollfarth tha se nëpërmjet unitetit dhe dialogut mund të organizohet progresi dhe të vazhdohet me dialogun, pasi vetëm kjo do të ndihmojë në zhvillimin e biznesit. a.y/NOA
Në foto: Kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth