English

Nikolla Pano: Populli t’i thotë Ramës dhe Berishës: Mjaft më!

Uashington, 1 Tetor 2011 - Forcat politike shqiptare po përjashtojnë njëra-tjetrën dhe ka ardhur koha që të ketë më shumë presion nga populli që t’i thonë politikanëve drejtues: “Ne duam që çështjet të zgjidhen. Mjaft!”.

Këtë ide hedh profesor Nikolla Pano, njohës i mirë i zhvillimeve politike në këto 20 vitet e fundit në Shqipëri. Në intervistën që i dha Zërit të Amerikës, që ju e gjeni më poshtë të zbardhur dhe si videointervistë, z.Pano duke u ndalur te paketa me 10 propozime e Edi Ramës thotë se partitë nuk i besojnë njëra tjetrës:

“Rama paraqiti një dokument me 10 pika që nuk duket se ka hapësira negociuese, por ai dëshiron që ato të pranohen nga pala tjetër. Ekziston një politikë e parakushteve. Nga ana tjetër, demokratët thonë se ekzistojnë të gjitha mundësitë në parlament të miratohen ligje e masa të shqyrtuara nga ekspertë ndërkombëtarë. Nëse socialistët duan t’u bëjnë ndryshime këtyre ligjeve dhe këtyre dokumenteve ata mund t’i bëjnë ato. Por, secila palë përjashton pozicionin e palës tjetër”.

Në këtë pikë Pano paralajmëron se “kjo lojë nuk mund të sjellë dhe nuk duhet të sjellë më pikë politike, se gjoja njëra palë e ka mirë dhe tjetra e ka keq”.

Kurse thekson: “Këtu flitet për të ardhmen e Shqipërisë. Politikanët duhet të harmonizojnë veprimet për të ardhmen e Shqipërisë, në mënyrë që imazhi i Shqipërisë të përmirësohet, që interesi kombëtar të përfshijë idetë dhe kontributet e të gjithë forcave politike. Derisa të arrihet kjo, do të jetë e vështirë që të ketë zgjidhje situata e tanishme. Mendoj se është e nevojshme që të ketë më shumë presion nga populli që t’i thonë politikanëve drejtues: “Ne duam që çështjet të zgjidhen. Mjaft!”.

Më poshtë ndiqni intervistën e plotë:

Njëzet vjet më parë SHBA rihapën ambasadën e tyre në Tiranë dhe rinisën marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Cilat janë vlerësimet tuaja për këtë 20 vjetor, çfarë kujtoni ose çfarë doni të nënvizoni për këtë ngjarje?

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane ishte një ngjarje e rëndësishme në historinë e të dy vendeve. Pas 20 vjetësh mund të shihen arritje domethënëse. Janë arritur shumë marrëveshje bashkëpunimi në një larmi të gjerë fushash, si në diplomaci, veprimtari të shumë agjencive ndihmuese si USAID, shkëmbime kulturore mes dy vendeve etj. Mendoj se janë marrëdhënie shumë të shëndetshme. SBA ka nxitur integrimin e Shqipërisë në sistemin euro-atlantik. Kujtoj se SBA ishin mbështetësi kryesor që Shqipëria të pranohej në NATO. SHBA ka nxitur nismat që Shqipëria të përfshihet në një larmi të madhe veprimtarish në Ballkanin perëndimor dhe kjo e ka ndihmuar qëndrueshmërinë e rajonit. Mendoj se SHBA ka luajtur një rol të rëndësishëm në përparimin që Shqipëria ka arritur në planin e jashtëm. Ka edhe disa shqetësime që lidhen me zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Ka patur disa episode shqetësuese në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si, për shembull, ngjarjet gjatë zgjedhjeve të vitit 1996, por ato tani i përkasin një periudhe të kaluar. Rindërtimi i marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane ishte i rëndësishëm edhe për komunitetin shqiptar në SHBA. Ai ishte i izoluar për një kohë të gjatë nga atdheu qysh nga vitet 1939-40. Nga rivendosja e këtyre marrëdhënieve, një numër i madh shqiptarësh erdhën në Shqipëri edhe si turistë edhe si sipërmarrës. Ky bashkëpunim shtoi lidhjet e komunitetit shqiptar me vendin e tyre dhe në të ardhmen do të ketë lidhje më të shumta mes dy vendeve.

Këto 20 vjet të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë përkojnë edhe me 20 vjet të demokracisë shqiptare. Çfarë mendoni për pjekurinë e demokracisë shqiptare?

Shqipëria kurrë më parë nuk patur një traditë demokracie. Njerëzit këtu kurrë më parë nuk kanë qenë organizuar në parti demokratike, dhe këtu nuk përfshihen vitet e Partisë Komuniste. Në vitin 1991 u pa se mungonte tradita demokratike, e cila duhej ndërtuar. Edhe pse u ngritën shumë parti, ato u sollën njëlloj si partia e sistemit komunist. Ishte e vështirë të zhdukej ajo mendësi. Partitë kishin një disiplinë të fortë brenda radhëve, një lidership të fortë, mungesë tolerance ndaj opozitës. Të gjitha këto ishin rregullat e të shkuarës. Mendoj se edhe kriza aktuale ka ndikime nga kjo. Për fat të keq, tek partitë e mëdha, madje edhe tek disa parti të vogla, është rritur përsëri intoleranca.

Jam shumë i shqetësuar për këtë mungesë demokracie tek të gjitha partitë politike. Për shembull, tek Partia Socialiste sot nuk ka hapësira debati as sa ato të disa viteve të shkuara. Kjo mungesë demokracie e partive, këto linja të forta, parakushtet e shumta dhe ideja se njëra e palë e ka mirë, kurse gabimi qëndron tek pala tjetër; të gjitha këto e vështirësojnë funksionimin e demokracisë dhe klimën demokratike. Këto probleme do të mbeten për sa kohë që drejtuesit politikë nuk do të bien dakord për disa rregulla demokratike. Njerëzit e thjeshtë e dinë mirë se cila është demokracia që duan dhe ata e treguan ditën e zgjedhjeve vendore në 8 maj. Qytetarët shkuan në qendrat e votimit, reporterët thanë se ajo ishte një ditë me atmosferë shumë të qetë e miqësore, njerëzit votuan për partitë e ndryshme dhe të gjithë festuan deri mbrëmjen e të dielës. Kjo dëshirë e qytetarëve duhet të mbizotërojë edhe tek lidershipi partiak. Ndoshta është koha që qytetarët e këtij vendi t’u thonë politikanëve të tyre “Mjaft, se po e pësojmë shumë kështu!”. Integrimi në BE po vonohet shumë, tensionet po e dëmtojnë imazhin kombëtar, po trembin investimet e huaja dhe në disa raste ndikojnë tek turizmi. Është koha që qytetarët të shtojnë presionin ndaj politikanëve, që ata të ndjekin disa rregulla, të sheshojnë keqkuptimet dhe ta lënë pas tranzicionin postkomunist.

Kjo sjellje e ashpër e politikanëve dhe këto probleme të demokracisë shqiptare pritet të pasqyrohen pas disa ditësh edhe në një raport të Bashkimit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Cila është pritshmëria juaj ndaj këtij raporti?

Do të befasohesha shumë nëse ky raport do të ishte pozitiv. Është një situatë e trishtuar. Të gjithë ishin të qartë për rrugën që duhej ndjekur. Dihen shembuj si Kroacia, që po ecën para dhe pritet që të anëtarësohet në 2013 në BE. Po Shqipëria ku është? Nga 12 pikat thuhej se duheshin arritur standardet evropiane në zgjedhje dhe ato nuk u arritën. Po ashtu u kërkuan reforma në sistemin e drejtësisë, apo lufta ndaj trafiqeve; të gjitha shumë të rëndësishme. Siç thashë, jam i befasuar, dhe i mërzitur dhe nuk besoj se ai raport do të jetë favorizues.

Si mund të gjendet pika fillestare e mirëkuptimit dhe e konsensusit midis partive politike, duke toleruar çfarë mund t’i tolerojnë këto njëra-tjetrës?

Këtu ka disa çështje që duhen përmendur, por para së gjithash është mungesa e besimit. Partitë nuk i besojnë njëra tjetrës. Rama paraqiti një dokument me 10 pika që nuk duket se ka hapësira negociuese, por ai dëshiron që ato të pranohen nga pala tjetër. Ekziston një politikë e parakushteve. Nga ana tjetër, demokratët thonë se ekzistojnë të gjitha mundësitë në parlament të miratohen ligje e masa të shqyrtuara nga ekspertë ndërkombëtarë. Nëse socialistët duan t’u bëjnë ndryshime këtyre ligjeve dhe këtyre dokumenteve ata mund t’i bëjnë ato. Por, secila palë përjashton pozicionin e palës tjetër. Kjo lojë nuk mund të sjellë dhe nuk duhet të sjellë më pikë politike, se gjoja njëra palë e ka mirë dhe tjetra e ka keq. Këtu flitet për të ardhmen e Shqipërisë. Politikanët duhet të harmonizojnë veprimet për të ardhmen e Shqipërisë, në mënyrë që imazhi i Shqipërisë të përmirësohet, që interesi kombëtar të përfshijë idetë dhe kontributet e të gjithë forcave politike. Derisa të arrihet kjo, do të jetë e vështirë që të ketë zgjidhje situata e tanishme. Mendoj se është e nevojshme që të ketë më shumë presion nga populli që t’i thonë politikanëve drejtues: “Ne duam që çështjet të zgjidhen. Mjaft!”.

Ka 20 vjet që në Shqipëri lufta për pushtet është shumë e ashpër. Asnjëra palë që i humb zgjedhjet nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve. Ju mendoni se kjo mund të jetë pika e startit e mirëkuptimit të tyre; pra që të njohin zgjedhjet dhe pastaj të kërkojnë konsensus?

Mendoj se partitë nuk duhet të presin vitin 2013 që të arrijnë mirëkuptimin për reformën zgjedhore. Ajo që ka ikur, tashmë është e shkuar. Ja, për shembull, zgjedhjet vendore për Tiranën. Pas dyshimeve për numërimet, votat e diskutueshme dhe vendimet e gjykatave, tashmë është e qartë se me një diferencë të vogël votash Basha meritoi fitoren në qytetin e Tiranës. Unë besoj shumë se me këshilltarët socialistë në bashki Basha do të bashkëpunojë ngushtë që të zgjidhë problemet e qytetit. Duhen disa gjeste që të krijohet besim mes palëve. Askush nuk duhet të qëndrojë pa ndryshuar deri në 2013. Çfarë ndodhi është e shkuara dhe të gjithë duhet të shohin përpara.

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi22:48 - 01 Tetor 2011
    DEMOKRACIA NUK NA BIE NGA QIELLI. Edhe ne qofte se populli shqiptar s'ka unitet per ti thene ashtu si keshillon Z.Nikolla Pano :POPULLI T'I THOTE RAMES DHE BERISHES: MJAFT ME, perseri faji nuk i takon shqiptareve por partive qe e drejtojne demokracine,organizatave perkatese qe kane detyre te ndergjegjesojne popullin per jete demokratike,zgjimin nga gjumi te shoqerise civile,sepse demokracia e vertete nuk bie nga qielli si pikat e shiut.Ta shijosh demokracine duhet te luftojme per te, pa perjashtim te gjithe shqiptaret e kudondodhur,si brenda atdheut dhe jashte tij.Boll me metodat e kalbura punon kali te haje gomari,ndertoje ti demokracine ta shijoj une paraziti. Ligor Luarasi.