English

Nis aksioni i Bashkisë, pesë faza për çlirimin e trotuareve

Tiranë, 1 tetor 2011, NOA Update – Pas lajmërimeve zyrtare ditë pas dite Bashkia e Tiranës ka vënë në jetë sot në 1 tetor fazën e parë të aksionit për çlirimin e rrugëve, trotuareve dhe hapësirave publike nga subjektet tregtare dhe ambulantët. Aksioni që ka për qëllim zhbllokimin e hapësirave publike në të mirë të këmbësorëve dhe përmirësimit të jetës në kryeqytet nisi fillimisht në rrugën e Elbasanit, në njësitë bashkiake nr.1 dhe nr. 2 në Tiranë. Në fazën e parë të këtij aksioni do të hiqen nga rrugët dhe trotuaret, mjetet e ngurta, vazot, tabelat, kangjellat, etj, më tej karriget, tavolinat dhe pajisjet e tjera. Ndërkohë që disa subjekte kanë zbatuar urdhrin e Bashkisë për lirimin e hapësirës së zaptuar prej tyre deri në 1 tetor, në fokus të aksionit të sotëm janë 84 subjekte që kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale. Në krye të aksionit ishte drejtori i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha. “Pas lajmërimeve të përsëritura publike, sot Bashkia po kryen fazën e parë të aksionit për lirimin e rrugëve dhe trotuareve. Sot do të merren këto masa ndaj 84 subjekteve që kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale. Aksioni do të vazhdojë dhe me 4 fazat e tjera, derisa trotuaret dhe rrugët t’u kthehen qytetarëve. Bashkia është e vendosur të zbatojë ligjin”, - u shpreh sot, drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. Katër fazat e tjera të aksionit parashikojnë lirimin e të gjithë rrugëve dhe trotuareve të kryeqytetit të bllokuara nga subjektet e ndryshme.

Pesë fazat e planit të Bashkisë:

1-Lirimi i hapësirave publike të zëna nga 84 subjekte fizike apo juridike, të cilët kanë refuzuar të paguajnë detyrimet fiskale. 2-Lirimi i hapësirave publike nga 151 kioska dhe subjekte pa leje, pavarësisht nëse paguajnë ose jo detyrimet fiskale. 3-Lirimi i hapësirave publike, nga 107 automjete që dergjen të palëvizura prej kohësh në rrugët e Tiranës. Bashkia e Tiranës u kërkon poseduesve të këtyre automjeteve, që të marrin masa për zhvendosjen e tyre, pasi në të kundërt këto mjete do të asgjësohen nga autoritetet bashkiake. 4-Lirimi i hapësirave publike nga 431 tregtarë ambulantë, të cilët ushtrojnë aktivitetin pa asnjë bazë ligjore. 5-Lirimi i hapësirave publike nga të gjithë subjektet e tjera tregtare, duke përfshirë edhe ato që kanë paguar detyrimet deri më datë 1 tetor. Bashkia e Tiranës ashtu siç e ka bërë me dije përmes zëdhënëses së saj Anila Bisha, është e vendosur t’u kthejë qytetarëve hapësirat që u takojnë dhe për këtë do të zbatojë ligjin për çlirimin e hapësirave publike. mit/NOA

KOMENTE