Nga Skënder Minxhozi Më në fund, për herë të parë në karrierën e tij të gjatë politike, Bamir Topi u tha pardje shqiptarëve nga ekrani i Sokol Ballës, se shefi i tij i dikurshëm është bërë për t’u mëshiruar. Ai tha gjithashtu se hyrja e tij në politikën partiake, çka nënkupton daljen e tij nga presidenca, është diçka thuajse e sigurt. Po të marrim parasysh heshtjen stoike ndër vite të këtij politikani, karriera, e pse jo, edhe popullariteti i të cilit ngrihet mbi vetëfrenimin dhe mosartikulimin – mund të themi se ndodhemi në pragun e një thyerjeje epokale. Mësuam se Bamir Topi mund edhe të flasë, e jo vetëm të “heshtë duke folur”, siç pëlqen të thotë shpesh. Madje, për habinë tonë jo të vogël, ai edhe mund të akuzoka dhe të lëshoka dorashkën ndaj njeriut të cilit nuk ju përgjigj kur e quajti “horr bulevardi”. E bëri këtë me nëntë muaj vonesë, pikërisht atëherë kur mesa duket, ka llogaritur se ka ardhur momenti për të qenë prezent në politikën aktive, e jo vetëm në protokollin zyrtar mondan që i imponon zyra komode ku është ulur me votat e dikurshme të partisë së tij.
Projekti i një çarjeje djathtas ka pasur shumë protagonistë në njëzet vjetët e fundit; trima të çartur, heronj të heshtur ose edhe personazhe kalimtarë. Që të gjithë kanë dështuar bujshëm, me kthimin “me bisht në shalë” që kanë bërë në pragun e zgjedhjeve të vitit 2005, kur Berisha mblodhi rreth vetes të gjithë “grigjën e prishur” të orëve të para të PD-së. Në këtë konfigurim të pashpresë, që duket i mbushur me figura servile apo të penduara (pak a shumë e njëjta gjë), Bamir Topi përbën një anomali politike. Potencialisht (duhet theksuar fort kjo fjalë), ai është i vetmi politikan që mund t’ia prishë Doktorit planin për të mbretëruar i qetë deri në zgjedhjet e 2013-s, e sidomos për të bërë një kalim të butë të pushtetit brenda partisë, pas këtij momenti.
Asetet politike të Bamir Topit, të përbëra nga një grusht figurash qendrore e periferike në PD-në e djeshme dhe të sotme, por mbi të gjitha nga fakti që ai ruan kuota të larta popullariteti në opinionin publik, janë diçka më shumë sesa një klishe e shpikur nëpër kafenetë e Tiranës. Ky arsenal armësh bëhet veçanërisht i rrezikshëm për një PD të lodhur nga mandati i dytë qeverisës dhe të zhytur në një llum gjithnjë e më të trashë skandalesh, sherresh e rivalitetesh të brendshme apo edhe mërish të heshtura me aleatët e vegjël hileqarë, të cilët janë sulur për të bërë sa më shumë plaçkë lufte në bordin e një anijeje që po mbytet.
Bamir Topi mund të jetë në këto kushte, jo vetëm sfida e madhe ndaj PD-së, por edhe një alternativë e rëndësishme djathtas. Pak a shumë, një LSI si ajo e vitit 2004, e cila vuri në rrezik e më vonë nxori në opozitë partinë e madhe e të dhjamur socialiste, që shpërfillte me naivitet zjarrin që kishte rënë brenda shtëpisë së saj. Në muajt e fundit kemi parë se vetë Berisha është përfshirë fort në identifikimin e një personi të cilit do t’i dorëzojë në duar skeptrin e partisë. Çka në fakt, është, më gjerësisht, një operacion politik që synon të zgjidhë jo vetëm dhe thjesht problemin e lidershipit partiak, por edhe të gjejë një frymëzim të ri politik për forcën e tij politike. Bamir Topi ka shansin historik që ta pretendojë dhe ta kërkojë fatin e tij në këtë orbitë politike, në këto momente delikate për PD-në. Natyrisht, jo brenda partisë, pasi aty ai është po aq i dëshiruar sa edhe Edi Rama apo Spartak Ngjela në këtë moment, por duke krijuar një trampolinë politike të vetën, e cila të koagulojë emra, teza politike dhe ide, që Partia Demokratike aktuale i ka hedhur tej ose i ka lënë pa plotësuar në mes të rrugës. Pronat, të përndjekurit, qëndrimi ndaj së shkuarës, aferat e dyshimta me fqinjët në kurriz të interesave kombëtare – të gjitha këto janë simptomat e një sëmundjeje pushteti, që një e djathtë alternative mund t’i nënvizojë fort në një fushatë të ardhshme elektorale.
E megjithatë, Bamir Topi mbetet një premisë brenda të djathtës, jo një projekt i arrirë. Nuk mjafton një intervistë e folur për të mbyllur një kapitull të gjatë belbëzimi politik disavjeçar. Duhet pritur e duhet parë se cila do të jetë sjellja e kreut të shtetit në javët që do të vijnë. Tashmë ai ka hedhur dy piketa të forta: do të kthehet në skakierën politike (d.m.th, në lojën partiake) dhe do ta bëjë këtë djathtas. Janë dy indikacione mjaft të rëndësishme që ai ka dhënë, e që na japin të kuptojmë se gossip-i politik që ka shoqëruar hyrjen e tij të ardhshme në politikën aktive përmes Aleancës Kuq e Zi, paska qenë i vërtetë. Bamir Topi është i sigurt sot, ashtu siç e dimë edhe ne të tjerët, se në më pak se një vit do të jetë një i papunë luksi. Le të shohim nëse koha e lirë që kalon aktualisht mes futbollit, drekave me miqtë dhe udhëtimeve formale jashtë vendit, nuk janë thjesht dhe vetëm një rutinë presidenciale. Sepse ambicia që Bamir Topi ka afishuar është e madhe dhe nuk mund të arrihet nga një politikan që deri tani ka marrë maksimumin nga politika, duke dhënë aty minimumin. Një e përpjetë e fortë e pret kreun aktual të shtetit. A i ka mbledhur ai seriozisht fuqitë për këtë vrapim në malore?! Gazeta "Shqip"