English

Serbët refuzojnë KFOR-in, qëndrojnë në barrikada

Mitrovicë, 1 tetor 2011, NOA - Pas heqjes nga KFOR-i të barrikadës pranë vendkalimit kufitar në Jarinje, në veri të Kosovës, nata e të premtes ka vijuar e qetë dhe pa incidente. Serbët lokalë të revoltuar nga ky akt i KFOR-it janë ngujuar pranë barrikadave të tjera, të cilat po pengojnë qarkullimin e automjeteve të KFOR-it. Serbët kanë ngritur një barrikadë të re në territorin e komunës së Leposaviçit duke kundërshtuar kështu aksionin e forcave të KFOR-it që zgjeruan rrethin e sigurisë përdrejt pikës kufitare të Jarinës. Tashmë vendkalimi kufitar në Jarinje vazhdon të mbetet i mbyllur dhe i rrethuar me tela me gjemba. Ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Farid Zarif vizitoi dje serbët e rebeluar në barrikadën pranë kufirit të Jarinje-s, të cilëve u kërkoi të largonin pengesat nga rruga. Kjo kërkesë u refuzua. Dhjetë minuta pas vizitës së Zarif, KFOR-i hoqi barrikadën e vendosur nga serbët në natën ndërmjet 15 dhe 16 shtatorit, por serbët serish vendosën një tjetër barrikadë në rrugën që çon drejt Jarinjes. Serbët lokalë që përbëjnë shumicën e veriut të Kosovës vijojnë të kundërshtojnë me aksione të paprera vendosjen e doganierëve të Kosovës në dy pikat në veri të vendit, 1 dhe 31, që erdhi për shkak të hyrjes në fuqi në 16 shtator të marrëveshjes për vulat doganore. Të martën e kaluar serbët lokalë sulmuan me gurë dhe me granata KFOR-in, ku u plagosën katër ushtarë. Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak për një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare, dhe në këto dy pika është zhvilluar kontrabanda dhe krimi i organizuar. Kosovapress/NOA

KOMENTE