English

Sfida e censusit

Nga Elsa Ballauri Gjithmonë e më tepër bindem se ka një fobi të vjetër, të fshehur, të përmasave të mëdha dhe, aq më shumë, të panjohur, në lidhje me identitetin tonë. Kjo nuk duhet të merret se një parullë antikombëtare apo një dobësi qytetare. Pasiguria në atë çka jemi dhe përfaqësojmë lidhet edhe me historinë tonë të formimit të shtetit shqiptar, në ishte më shumë rastësi sesa nevojë dhe përgjegjësi e vetë shqiptarëve, të luftës dhe përpjekjeve për të ruajtur ato që kishim (gjuhën), në mençurinë dhe fleksibilitetin për të zgjedhur ato që duheshin (alfabetin), por pa harruar edhe “shpëlarjen” e tepruar të truve në kohën e diktaturës, e cila jo rastësisht po reflekton në mënyrën se si e përjetojmë identitetin tonë. Ajo që po i bën fenomenet gjithmonë e më të vështira për t’u zgjidhur nga vetë ne, është se nuk kemi pasur asnjëherë kohë të zgjidhim “luksin” e identitetit tonë dhe pastaj të ndjehemi mirë me të. Si rrjedhim, ngatërrohemi, rrëzohemi, plagosemi, shajmë dhe gjithmonë nuk pranojmë të shkojmë te… psikologu e të njohim më mirë veten. Problemi i madh i censusit nuk është vetëm “hajde të ngremë pak adrenalinën tonë nacionaliste” dhe të flasim gjëra që, pa dyshim, do të zënë vend në një popull që mjerisht nuk i është lënë asnjëherë mundësia ta bëjë dhe të ketë pasur kohë ta gjykojë historinë e tij. Grupimet e fundit të Aleancës KZ, kanë ngritur zërin për një grisje të fletës së regjistrimit ku pyetet për përkatësinë në grupin etno-kulturor dhe fenë. Ky veprim i Aleancës (madje që prej fillimit) më është dukur si një nga ato aksionet ekstremiste të kohës së komunizmit ku flitej me pasion dhe inat edhe për slogane dhe ideale abstrakte, për “fitoret e arritura”, edhe për “luftën kundër imperializmit amerikan”, dhe ku thjesht fjalët dhe shprehjet janë ndërruar, por mënyra dhe frymëzimi është i njëjtë. Nuk e di dhe as nuk mund ta kuptoj dot se kujt i shërben ky lloj shantazhi dhe ekstremiteti. Bashkëmoshatarët e mi, edhe të tjerë, pa dyshim, shpresoj ta mbajnë mend përrallën e këndshme: “Keci që dinte të numëronte deri në dhjetë”, ku keci i zgjuar dhe i ditur, i trembte kafshët e tjera injorante me diturinë e tij, askush nuk e donte, e quanin të marrë sepse ishte ndryshe nga të tjerët, por që ishte pikërisht ai që i shpëtoi nga mbytja e anijes se dinte të numëronte. Shpesh më duket sikur censusi është ai “gogoli” i vogël në formë keci që i tremb shqiptarët nga numërimi…. Të gjithë flasim me bindje dhe përkushtim se cila është e keqja e madhe që do ta zaptojë shqiptarizmën pas përfundimit të censusit. Se si do ta përdorin grekët këtë përfundim, se si shqiptarët do të fillojnë të ndjehen grekë dhe të mendojnë për Greqinë. Se si greket do të bëhen më agresivë kundrejt politikave asimiluese të tyre. Shkurt, historia më duket një komedi dramatike nën shkëlqimin dhe ngrohtësinë e diellit të Europës së Bashkuar, ku salla është e mbushur plot me spektatorë që presin të hapet sipari i një skene bosh. Diskutimet më të shpeshta dhe që kanë marrë shumë rendësi në opinionin e artikullshkruesve mbi censusin janë ato se ç’po bën qeveria shqiptare, pse ajo ka një strategji pro greke, cilat janë rezultatet që ajo kërkon të nxjerrë nga censusi, në një kohë që askush nuk do t’ia dijë për këtë…, d.m.th., asnjë qytetar shqiptar. Gjithmonë bëhen analiza duke e parë problemin nga lart–poshtë. Me këtë që sapo thashë, nuk dua të marr aspak nën mbrojtje qeverinë shqiptare, sidomos në marrëdhëniet e saj me Greqinë kur këto marrëdhënie kanë në mes tyre popullin shqiptar, qytetarët shqiptarë, emigrantët shqiptarë. Marrëdhëniet qeveritare shqiptaro-greke janë tepër komplekse, të tulatura nga ana e shqiptarëve dhe këtë, për fat të keq, e ndiejnë jo vetëm emigrantët hallexhinj, por edhe qytetarët e zakonshëm shqiptarë që kalojnë qoftë edhe një herë kufirin mes dy vendeve. Në qëndrimin e qeverive shqiptare ka indiferencë, servilizëm, përkushtim përulës, mungesë dinjiteti dhe ndjeshmërie për të kërkuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Qeveria shqiptare nuk ka ndërhyrë asnjëherë siç duhet (ose fare) në rastet e vdekjeve të njerëzve nga presioni i policisë greke, në rastet e plagosjeve, të keqtrajtimit apo të mosrespektimit të shtetasve shqiptarë dhe në 20 vjet këto raste kanë qenë me qindra. Kjo ka ndodhur prej vitesh, kjo vazhdoi të ndodhe edhe kur hapeshin gjyqe në Shqipëri dhe Greqi dhe kur avokatët e të drejtave të njeriut ngritën zërin edhe në nivele ndërkombëtare, kjo ndodh edhe tani, edhe dje dhe, pa asnjë çudi, do të ndodhë edhe nesër, kur persona nga komuniteti çam dëbohen nga kufiri si të ishin kriminelë. Nuk e kuptoj se si gjithë këto vite, Aleanca KZ nuk e ndjeu për detyrë të krijohej si një grupim pro qytetarëve shqiptarë që diskriminoheshin dhe t’i ndërgjegjësonte qytetarët për t’i kërkuar qeverisë shqiptare dhe asaj greke reagime në respekt të të drejtave të shtetasve shqiptarë… Për të kundërshtuar politikën asimiluese greke nuk është zgjidhje të mos bëjmë censusin tonë, por të vendosim qeveritë përpara përgjegjësive të mëdha që të dinë të mbrojnë territoret dhe individët. Dhe nëse mendohet se shumë shqiptarë, për hir të favoreve që u ka bërë qeveria greke (pensione, shkolla, punë etj.), do të regjistrohen joshqiptarë, atëherë le të përballemi edhe me këtë sfidë që është e jona, është sfidë e personalitetit tonë të lëkundur dhe aspak e të tjerëve që bëjnë politikën e tyre, qoftë kjo edhe e gabuar. Nëse veprohet ndryshe, atëherë tregojmë edhe njëherë më shumë se jemi popull burracak që nuk dimë t’i dalim zot vetes dhe të pranojmë gabimet tona. Censusi është një regjistrim i këtij viti dhe do të bëhet përsëri pas një dekade. Sipas rezultateve, do të kemi edhe një analizë sociologjike dhe psikologjike se pse shqiptarët u shfaqën ndryshe nga ç’janë… Këto që sapo shkrova janë gjithmonë të bazuara mbi hamendjet e qarkulluara, se si do të ndikojnë grekët te shqiptarët për t’i ndryshuar identitetin. Personalisht nuk i besoj këto hamendje. Jam më e bindur në pragmatizmin dhe „dinakërinë” tonë për të mos e prishur me më të fortin, por, në fund të fundit, për të bërë atë që duam vetë…. Ajo faqja që duhet grisur sipas Aleancës, është faqja e fundit nr. 12 e pyetësorit të regjistrimit dhe dy pyetjet shqetësuese janë: Cilit grupim etno-kulturor i përkitni dhe cila është feja juaj? Gabimisht ose jo, gjithmonë mbështetemi në praktikat e vendeve të tjera, zakonisht iu referohemi atyre që na interesojnë dhe janë konform kontekstit të logjikës që zgjedhim vetë. Pavarësisht nga kjo, vetëm duke marrë një shembull joeruopian, siç është ai i Shteteve të Bashkuara, atje nuk ka një pyetje për grupimin etno-kulturor (dhe s’ka si të ketë kur vetë formimi i shteteve nuk është bërë mbi këtë bazë, madje e ka “nënvleftësuar” këtë element), por ama, ka një tjetër pyetje që mund t’i kishte hedhur përpjetë gjithë shqiptarët e tanishëm që flasin me ekstremitet për censusin; pyetjen mbi racat: cilës racë i përkitni? D.m.th. në SHBA është e domosdoshme të dihet se sa të bardhë, sa zezakë, sa të verdhë apo të kuq ka. Kjo kërkohet të dihet patjetër, ndërkohë që e dimë shumë mirë se sa e fortë ka qenë lufta raciale në këto vende, luftë e cila s’ka pushuar as tani në kohët moderne. Duke parë nga lart-poshtë, harrohet edhe një tjetër këndvështrim: ç’mendojnë minoritetet? Në këtë debat gati të përditshëm, vetëm minoritetet nuk janë përmendur, ose kalohen shkarazi… Ka një synim, i cili shihet me lente, shpeshherë jorealiste: minoriteti grek. Në mënyrë të pakëndshme mohohet ekzistenca e grupeve të tjera etno-kulturore, gjuhësore. Nëse konventa kuadër flet për vetëdeklarimin, nuk është vetëm kjo – ajo së pari ngre nevojën e njohjes së minoriteteve dhe njohja është e nevojshme të behet me shifra, me raste, me ngjarje me histori. Nëse nuk tregon cilat janë minoritetet e vendit tënd, je i predispozuar t’i neglizhosh dhe t’i harrosh ato: të mos flasësh për gjuhën e tyre, historinë e tyre, jetën dhe problemet e tyre, shqetësimet dhe padrejtësitë që u bëhen. Pra, a ka një pyetje që duhet të jetë shumë thelbësore? Çfarë duan vetë minoritetet? Apo ato duhet të rrinë nën sqetullën e maxhorancës dhe të shtrydhen e përpëliten mes aromave nacionaliste të saj? Kemi një varietet të mrekullueshëm minoritetesh në Shqipëri që kanë vuajtur se janë nënvlerësuar, individë që janë rritur duke u tallur dhe përqeshur se flasin një gjuhë ndryshe, apo kanë një ngjyrë ndryshe. Duam të dimë patjetër se sa romë ka në Shqipëri që të mund t’u shërbejmë atyre siç duhet. Duhet të dimë se sa vllahë ka Shqipëria që komuniteti vllah të ketë ku të “strehohet” në vendin e vet dhe jo të vrapojë drejt dyerve që u ka hapur nga njëra anë Greqia dhe nga ana tjetër Rumania… Por jo vetëm vllahët do ta vuajnë mungesën e vëmendjes. Romët, egjiptianët, boshnjakët, serbët dhe malazezët, maqedonasit etj. Këto pakica kanë të drejtat e tyre për t’u njohur edhe në numër, gjë që do t’i japë mundësi dhe përgjegjësi shtetit shqiptar t’u krijojë shërbime dhe atyre vetë do t’iu ofrojë mundësinë e kërkesave për të drejtat e tyre, dëshirën për të njohur dhe jetuar traditën dhe historinë e tyre, nevojën për të pasur shkolla dhe media të tyret, nevojën për të shkëmbyer me shqiptarët e tjerë bukuritë e kulturës së tyre. Feja është një tjetër debat i diskutueshëm, i cili i ka lënë shqiptarët në injorancë informimi. Flitet gjithmonë me shifra të vjetra, shumë të vjetra se si janë përqindjet e komuniteteve fetare në vend. Këto shifra janë të kohës së mbretërisë së Zogut. Me shumë lehtësi kapërcejmë kohën e diktaturës që plugoi fenë e komunizmit dhe i largoi njerëzit nga mundësia për të qenë pjesë e komuniteteve fetare. Masa e madhe ateiste në Shqipërinë komuniste pësoi të tjera shndërrime gjatë këtyre 20 vjetëve ku fe të ndryshme besohen dhe praktikohen nga shumë shqiptare. Të gjithë jemi në një padije për numrin e tyre dhe ta njohësh këtë fakt është më se normale dhe e nevojshme për efekt studimor, praktik, filozofik, sociologjik. Nuk ka asnjë shkelje kushtetuese nëse shteti e bën regjistrimin sepse në këtë rast shteti nuk ndërhyn në të drejtën e besimit, thjesht ai luan rolin e menaxhuesit. Në këtë atmosferë të turbullt debatesh mediatike mbi censusin, ku ka shumë paqartësi, shumë ekstremizëm, mendoj se shqiptarët duhet të përballen me një sfidë të madhe: të shkruajnë në ato dy pyetjet “e frikshme” përgjigje të sinqerta, realiste, ashtu siç vërtet ndjehen dhe janë. Kjo është sfida e qytetarisë.

KOMENTE