English

Sketch Show, nis show më i ri televiziv edhe në Shqipëri

Sketch Show do të transmetohet çdo të diel në Vizion Plus, ora 20:45 dhe çdo të hënë në Tring Shqip, ora 21:00 Të dielën në mbrëmje pritet të startojë transmetimi i formatit më të ri televiziv të humorit shqiptar, Skech Show, ekskluzivisht në paketën Tring Digital dhe Vizion Plus. Skech Show, një spektakël i garantuar nga aktorët e Apartamentit 2XL, Ermal Mamaqi, Julian Deda, Gentian Zenelaj, Lisa Kujofska, Erblin Bajko dhe Alban Bozgo. Bëhet fjalë për një format mjaft interesant humori, patenta e të cilit është blerë nga Tring Digital dhe që siç tregon producenti Turjan Hysko ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në Britaninë e Madhe, Itali, Francë, Gjermani etj. Ekipi i Apartamentit 2XL do të shfaqet tashmë për të fituar zemrat e publikut me këtë shfaqje të re, e cila do të transmetohet çdo të diel në orën 20:45 në Vision Plus dhe çdo të hënë në Tring Shqip në orën 21:00. Vetë spektakli përmban disa forma humori brenda tij, madje sjell dhe risinë e skeçit të rrugës, i cili i mungonte prej vitesh ekranit shqiptar. Boshti i shfaqjes është një skenë gjigante në të cilën realizohen skeçe që kanë të bëjnë me aktualitetin dhe ku njëkohësisht ruhet interaktiviteti dhe komunikimi me publikun. Tashmë aktorët kanë një skenar dhe nuk janë më të lirë të improvizojnë sikundër i kemi parë tek Apartamenti 2XL. Një element jo më pak i rëndësishëm i shfaqjes janë të ftuarit surprizë, të cilët gjithashtu do të vënë në provë sensin e tyre të humorit dhe aftësinë për të ndërvepruar me aktorët. Formati i këtij spektakli është i ndarë në disa pjesë, kështu përveç interpretimit të roleve dhe situatave të ndryshme nga aktorët në skenë, do të shfaqen skeçet e xhiruara në terren, të cilat prekin problematikën dhe aktualitetin e shoqërisë sonë. Ato vinë të shkurtra dhe dinamike duke e mbajtur spektaklin me një ritëm të vazhdueshëm. Një tjetër pjesë mjaft interesante e Sketch Show ka të bëjë me të kaluarën shqiptare. Brenda "Sketch Show" do zhvillohet një mini-serial i cili do merret me Shqipërinë në vitet e shkuara, duke u zhvendosur në periudha historike të ndryshme, te cilat kthehen me mjeshtëri në situata humori. Së fundi, për ta bërë programin sa më interaktiv dhe të prekshëm për publikun, do të tregohen përmes improvizimit dhe humorit ndodhitë e situatat në të cilat janë gjendur njerëzit e thjeshtë, kuptohet, çdo gjë vjen e inskenuar nga trupa e spektaklit. Argëtimi është i garantuar, me regjisorët Bledar Linza dhe Gent Bejko dhe pjesën tjetër të stafit, tashmë të njohur për publikun, Sketch Show pritet të ketë të njëjtin sukses si kudo në botë edhe në Shqipëri, duke u shndërruar kështu në një nga formatet më të ndjekura të humorit nga shqiptarët kudo që janë.

KOMENTE