Nga Mero Baze Kjo pyetje më lindi ndërsa nisa të lexoj librin e Spartak Ngjelës, një libër mbi diktaturën dhe raportin e tij me të. Duke filluar ta lexoj këtë libër të shkruar mjaft mirë, mu ngulit më shumë ideja se diferenca mes njerëzve që i kanë dhënë historisë biografinë e tyre dhe atyre që kanë vjedhur nga historia kontributin e të tjerëve, bëhet e qartë vetëm në një pikë, tek guximi për të shkruar historinë tënde. Mu kujtua duke medituar rreth këtij akti një intervistë e stërpërsëritur e Sali Berishës për raportin e tij me historinë. I pyetur në vitin 1997 nga një prej gazetarëve të njohur të shtypit britanik, Tim Judah, nëse ndonjëherë Berisha do të shkruante historinë e vet, ai e kundërshtoi atë prerë. “Nuk do të shkruaj kurrë kujtime”, tha. Më pas e ka përsëritur disa herë këtë “premtim” duke dashur ta konsiderojë të parëndësishme fuqinë e një politikani dhe njeriu aktiv në politikë për të shkruar historinë e tij. Në të vërtetë kjo është një çështje që ndan njerëzit që i kanë dhënë historisë nga njerëzit që kanë vjedhur historinë. Sali Berisha vërtetë nuk mund të shkruajë dot një libër historie për veten e tij. Në historinë e tij prej komunisti nuk ka asgjë demokratike, dhe në historinë e tij prej demokrati ka gjithçka komuniste. Edhe kur tenton të flasë nëpër studiot e veta rreth historisë së tij politike, ai nuk flet dot për detaje, por vetëm për korniza që përpiqet t’i modifikojë sipas konjukturave të sotme politike. Ai tregon ndryshe historinë pse u bë komunist, ndryshe historinë pse u bë sekretar partie, ndryshe historinë pse regjimi e mbante në paradhomë, por kurrë në sofër, ndryshe historinë pse lejohej të shkonte në Francë me vjehrrë serbe, ndryshe historinë si dhe pse u përfshi në lëvizjen e studentëve në vitin ‘90 dhe thuajse e ka groposur gjithë historinë politike të Partisë Demokratike. Në këto kushte ai s’mund të shkruajë një libër për historinë e tij. Dhe jo vetëm ai. Të kthesh kokën pas dhe të shkruash të vërtetën është një çlirim i madh, por është veti e njerëzve të lirë. Nga fuqia për ta kthyer kokën pas dhe për të parë çfarë ka ndodhur me jetën tënde, dallohen realisht qytetarët që i vlejnë një vendi. T’i bësh vetë dhe sipas mënyrës tënde bilancin jetës tënde, përveçse guxim është dhe një sistem vlerash. Njerëzit që në jetën e tyre s’kanë bërë asgjë nga vetja e tyre, por kanë vepruar gjithnjë si pjesë e mekanizmit të regjimeve, përveçse nuk kanë ç’të tregojnë, kanë dhe makthin e asaj që kanë bërë. Në rrugëtimin e tyre drejt pushtetit, ata shpesh kanë shkelur mbi vlera themelore të lirisë, mbi kufoma njerëzish dhe mbi krime të fshehta që nuk mund t’ia dëshmojnë më as vetes. Si mund ta shkruajë për shembull Tritan Shehu skenën kur ka prishur Kishën e Tiranës si konsomolas i regjimit, si mund ta përshkruajë Berisha luftën e tij poshtëruese për tu zvarritur drejt postit të Sekretarit të partisë, por më keq akoma si mund të përshkruajnë këta dy monstra atë që i bënë Partisë Demokratike dhe shpresës për një Shqipëri demokratike me regjimin qesharak të vitit 1992- 1997 dhe tashmë me rikthimin e regjimit të Familjes pas vitit 2005. Sali Berisha nuk shkruan dot as si i zboi nga PD gjithë bashkëthemeluesit e saj, as si përndoqi deri në tentim për vrasje Azem Hajdarin, të cilin më në fund e vrau me ndihmën e armiqve të tij, as për fillimin tragjikomik të krizës së vitit 1997 me kapjen rob të Tritan Shehut në Lushnje, as për humbjen e personalitetit të tij dhe njerëzor në ditët kritike të marsit 1997, tentimin për hipjen në helikopter për të ikur drejt Vilës së Kostandineskut në Rumani, dhe më pas rikthimin në pushtet. Si mund të ulet ai për shembull e të shkruajë momentin kur i biri i ka kërkuar të bëjë një fabrikë municionesh në Gërdec dhe ai u investua i tëri në qeveri për ta bërë atë, siç del dhe nga protokollet e mbledhjes së qeverisë, si mund t’i përshkruajë ai konsultimet me të bijën për çdo leje koncensionare në lumenj, nga Devolli e Vjosa e deri në Valbonë, si mund të përshkruajë ai momentin tragjik të 15 Marsit kur fabrika e të birit shpërtheu dhe vrau 26 vetë mes të cilëve dhe baxhanakun e vet, si mund të përshkruajë ai momentin e vrasjeve më 21 Janar, kur me qetësi ka ekzekutuar Aleks Nikën, Ziver Veizin, Hekuran Dodën dhe Faik Myrtajn… Një politikan që ka në biografi këto ngjarje nuk mund të shkruajë një libër. Një jetë e tillë është një burg i madh, nga i cili del kur vdes. Sali Berisha është një nga të burgosurit e mëdhenj të historisë së tij, nga e cila ai nuk shpëton dot. Si të gjithë ata që janë plaçkitës të historisë. Guximi i Spartak Ngjelës për të shkruar historinë e tij me diktaturën, jetën në Bllok dhe në burg, dhe raportet personale me njerëzit e hekurt të diktaturës, është një liri e madhe që bën diferencën nga njerëzit që na qeverisin sot. Është historia e një njeriu të lirë.
A e shkruan dot Berisha historinë e tij?
-
Shqiptari12:17 - 02 Tetor 2011Fare e keqe mbin edhe kur s'mbillet. Berisha e ka treguar veten me shume se njehere se i perket kesaj fare, e cila nuk eshte lehte te zhduket dhe eshte fatkeqesia jone. Por mua me shume me shqeteson fakti se a po punojme ne per te kultivuar "faren e mire", per ta rritur ate duke i sherbyer, me qellim qe vendi te mos mbete pafundesisht i tille? Mendoj se jo sa duhet! Gazetari Baze ben pjese ne ata qe e bejne mire detyren e tyre. E pergezoj per guximin e gjuhen e paster me te cilen i artikullon gjerat. Por edhe ai, e aq me teper shume te tjere, duhet te promovojme alternativen. Ajo na duhet dhe fatkeqesisht i mungon vendit.