Prishtinë, 2 tetor 2011, NOA - Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Administrata Tatimore e Kosovës, po thuajse ka humbur funksionimin e saj në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht matanë lumit Ibër, gjë të cilën e konfirmojnë edhe vetë zyrtarë të ATK-së. Këtë e ka ndihmuar tanimë edhe agresioni i Serbisë, ndaj bizneseve pas vendosjes së tatimeve në veri të Kosovës. Në anketën e zhvilluar nga Kosovapress, 93 përqind e pjesëmarrësve në anketë mendojnë se Serbia ka bërë agresion pas futjes së tatimeve në veri të vendit. Në anketën e realizuar nga Agjencia e Pavarur e Lajmeve Kosovapress, me pyetjen “A ka bërë agresion Serbia pas futjes së tatimeve (TVSH-së) në veri të Kosovës?”, kanë marrë pjesë 1199 persona, shumica e të cilëve 1120 ose 93 përqind mendojnë se Serbia ka bërë agresion pas vendosjes së tatimeve në veri; 41 persona ose 3 përqind thonë të kundërtën; ndërsa 38 persona apo 3 përqind shprehen me “nuk e di”. Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha nëpërmjet telefonit për Kosovapress, se çdo veprim i Qeverisë së Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës është tërësisht jo ligjore dhe e papranueshme. Zonja Kusari-Lila nënvizoi se në lidhje me këtë ka marrë mbështetjen edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme se të gjithë ata persona që do të kapen me dokumentet tatimore të strukturave paralele serbe do të ndëshkohen. “Ajo është tërësisht jo ligjore dhe në kundërshtim me vlerat dhe marrëveshjet me të cilat Serbia ka rënë dakord. Ne e kemi thënë disa herë që Serbia në fakt po shkel disa marrëveshje dhe gjithashtu jemi kundër të gjitha bizneseve, të cilat shkojnë me iniciativën e tyre të paguajnë tatim me vlerë të shtuar ndaj Republikës së Serbisë në vlerë prej 80 përqind”, theksoi ministrja Kusari-Lila. Ndërkaq, Bashkim Shala, zv. drejtori i Operacioneve në Administratën Tatimore të Kosovës, u shpreh se ky institucion që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk ka qasje të duhur në pjesën veriore të Kosovës në mbledhjen e taksave, ngase siç thotë ai, shumë inspektorë tatimorë serbë për shkak të rrethanave të krijuara kanë lëshuar punën, duke ia vështirësuar ATK-së punën në mbledhjen e taksave në atë pjesë të vendit. Sipas, Shalës aktualisht në veri obligimet ndaj ATK-së i kryejnë vetëm ato biznese që kanë interes për eksport dhe import. “Në këtë pjesë të rajonit të Mitrovicës janë dy kategori të bizneseve. Janë bizneset, të cilat kanë ardhur në Administratën Tatimore, kanë marrë numrat fiskalë, çertifikatat e TVSH-së dhe këto biznese deklarojnë dhe paguajnë tatime konform qarkullimeve që kanë. Kjo ka të bëjë më shumë me ato biznese, të cilat kanë detyrim për eksport dhe import. Në njëfarë mënyre janë të obliguar që për të kaluar importin ose eksportin kalojnë përmes pikave doganore dhe realisht ky numër i bizneseve është administruar nga ne. Ne kemi edhe një kategori biznesesh, të cilat më herët kanë qenë të administruara, por nga data e shpalljes së pavarësisë janë tërhequr dhe na kanë shkaktuar probleme në menaxhim, për shkak të shtrirjes gjeografike të këtyre biznese që ndodhen në këtë pjesë”, shprehet Shala. Ndonëse ka gatishmëri për të vepruar në mbledhjen e tatimeve edhe në veriun e rebeluar nga serbët, Shala përkujton se bazuar në rrethanat aktuale ATK-ja nuk mund të veprojë ashtu siç duhet nëse institucione e vendit nuk krijojnë kushte për veprim. Ndërsa Haki Shatri, njohës i ekonomisë, mendon se në këtë drejtim institucionet e vendit duhet të krijonin kushte më të favorshme, në mënyrë që ATK-ja të mund të mbledhë taksat në veri të Kosovës, pasi Serbia vazhdimisht ka insistuar që t’i marrë për vete tatimet e bizneseve në këtë pjesë të veriut të Kosovës. “ATK-ja është më së paku fajtore për moskryerjen e punëve, sepse strukturat tjera të shtetit duhet të kryejnë punën e vet, paraprakisht në mënyrë që të krijohen kushtet që ATK-ja të mund të kryejë punën e vet. Fjalën e kam krijimi i kushteve për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave, funksionimi i ligjit dhe i rregullave në fuqi në gjithë territorin, konkretisht obligimi dhe realizimi i regjistrimit të gjitha bizneseve edhe në atë pjesë, regjistrimi te MTI-ja, marrja e numrit fiskal, evidenca dhe futja në sistem të tatim pagimit. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, sepse ata nuk njohin shtetin e Kosovës, nuk njohin institucionet tona dhe nuk pranojnë t’i nënshtrohen këtyre rregullave për pagesë”, tha Shatri. Pas vendosjes së doganierëve dhe policisë kufitare të Kosovës në pikat 1 dhe 31 në Jarinje e Bërnjak më 16 shtator, Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që veriun ta “kthejë në sistemin tatimor të Serbisë”. Qeveria serbe ka anuluar rregulloren që ka të bëjë me procedurat doganore përmes kontrollove që praktikisht nënkupton se në veri të Kosovës, Beogradi sërish do të mbledhë tatimin mbi vlerën e shtuar. Pas heqjes së masave reciproke të Kosovës ndaj Serbisë, kjo e fundit ka ndaluar hyrjen e kamionëve nga Kosova, duke kërkuar që të posedojnë dokumentet e lëshuara nga strukturat paralele serbe në veri. Kosovapress/NOA