English

Antiamerikanizmi, ç’është ky!?

Nga Bardh Frangu Kur vogëlushja 13 vjeçare, Besa Salihu, menjëherë pas luftës në Kosovë, botoi ditarin e saj me titull “Tmerri dhe ankthi i 78 ditëve”, libër që ngjitet në majat e letrave shqipe, në të kishte përfshirë edhe një tregim me titull “Balena, shpëtimtarja e peshqve”. Duke përzier faktin me fiksionin në mënyrë brilante, kjo vogëlushe me balenën kishte simbolizuar NATO-n, ndërsa me peshqit, njerëzit e saj të vegjël që po ushqenin me gjak ëndrrën për lirinë. E ndërsa NATO identifikohet me Amerikën, tash kur analistë të ndryshëm nga fusha e medieve, liderë nga shoqëria civile dhe aso të politikës, provojnë të ndërtojnë dhe imponojnë një diskurs antiamerikan, nuk më ngjajnë më shumë se në peshqit e tipit pirana, pre e të cilëve mund të jetë ndonjë qenie e pafuqishme (sepse çka s’ka në deti), por jo edhe balena e quajtur Amerikë.

Që t’i kursej nga kultivimi i kësaj energjie negative tipat e tillë dhe të vihet në anën e shumicës së shqiptarëve, në stilin e politikanit të jashtëzakonshëm, u aktivizua edhe vetë ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Pa ekuivoke Arvizu, tha: “Ne e kemi parë në atë periudhë (përpjekja për marrje pushteti me dhunë më 21 janar) që ka qenë një antiamerikanizëm i organizuar, i drejtuar dhe që ka pasur një celulë, ka pasur drejtues, ka pasur mbështetje biznesi, ka pasur gjithashtu dhe makineri. Pra ka qenë një aktivitet i organizuar që ka pasur në plan të mund të marrë një kah politik”. Kush nuk e identifikon këtu Edi Ramën, liderin e socialistëve, biznesmenin Tom Doshi, si dhe makinerinë informative të së majtës, nuk di të lexojë as mbi rreshta.

Ambasadori Arvizu, prononcimi i të cilit në këtë stil u quajt shokant nga shumëkush, nuk e bëri këtë që të injoronte kabllogramin e Wikiliks-it, as që publikisht të njoftonte institucionet më të larta të shtetit të tij për ndonjë rrezik të supozuar, por në radhë të parë e bëri këtë që t’i shembë ato kodra spekulimesh për ta bërë më të qartë shkakun dhe motivin e ngërçit politik në Shqipëri, i cili për pasojë ka pengimin e inkuadrimit të vendit në strukturat evropiane. Në fakt, ambasadori Arvizu në mënyrë metaforike këtë e kishte bërë edhe gjatë zgjedhjeve të majit, kur para medieve u deklarua me ironi se kishte parë një votë për Hysni Milloshin, trashëgimtarin legjitim të politikës së diktatorit Hoxha, për të reflektuar në këtë mënyrë mbi strukturat e organizuara të ish regjimit diktatorial dhe rrezikun e tyre të vazhdueshëm.

Këtu, në këtë përsiatjen time, nuk është halli vetëm i përpjekjeve për ndërtim diskursi të tillë në Shqipëri, por për faktin se edhe disa kosovarë tanë u shfaqën pikërisht në mediumin ku kultivohet ky diskurs dhe mbase duke qenë brenda kornizave të këtij diskursi. Për hir të reciprocitetit, antiamerikanizmin e tyre e identifikuan nëpërmjet ambasadorit amerikan në Prishtinë, Krisofer Dell dhe kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila me të njëjtën makineri vazhdon ndërtimin e Udhës së Kombit edhe në pjesën e Kosovës. Vërtet është për t’u habitur sesi me kaq lehtësi vazhdojnë të pranohen nga Shqipëria diskurset që funksionojnë në kurriz të fatkeqësisë së gjithë shqiptarëve. Shqetësuese është kjo edhe për faktin se një popull që nuk është mirënjohës jo vetëm që nuk meriton respekt, por nuk mund të ndërtojë as ardhmëri të mirë. Po përse duhet të jemi të tillë ne!? Nëse nga aspekti etnopsikologjik kjo përpjekje mund të jetë si pasojë e një mallkimi të rëndë në kontekst historik, nga aspekti politik kjo gjë nuk mund të kundrohet ndryshe vetëm si përpjekje për përfitim të grupeve dhe individëve të caktuar që atdheun nuk e shohin ndryshe pos si një tezgë të zakonshme.

Ka të tillë që këtë diskurs e arsyetojnë dhe motivojnë me faktin se politikanët tanë, (ata në pushtet) pa dallim po shfaqin një servilizëm të tepruar ndaj ndërkombëtarëve e në veçanti ndaj amerikanëve. Kjo është shumë e vërtetë dhe gjëja më transparente në të gjitha zhvillimet tona. Por ama kjo nuk është arsye për ndërtimin e një diskursi antiamerikan. Ajo që duhet të bëjmë ne ka të bëjë me faktin që t’ua bëjmë me dije liderëve tanë politikë se me një sjellje të tillë ata nuk fitojnë respekt as tek amerikanët, por përkundrazi. Ata në këtë mënyrë shfaqen si figura shahu, në një fushë, ku ndërkombëtarët detyrohen të luajnë me ta për ta zhvilluar lojën, për të cilën janë edhe të mandatuar. Askush nuk na ka faj pse politikanët tanë nuk zhvillojnë politika partneriteti, por shfaqen vetëm si eksponentë të politikave të cilat janë të detyruar t’i bëjnë ndërkombëtarët.

Mund të jetë e diskutueshme kostoja e Udhës së Kombit andej e këndej kufirit, madje edhe si një burim keqpërdorimi të parasë publike, por të cilësohet kjo si udhë e fatkeqësisë së shqiptarëve, kjo edhe në kuadër të skemës së diskursit antiamerikan është e tepërt të thuhet. Për më tepër në këtë kohë kur ende mbi kurrizin e shqiptarëve rëndon pesha e boshtit ortodokso-islamik, me në krye Rusinë. Më në fund secilit i është i qartë fakti se shtetet dhe popujt nuk mund të jetojnë pa aleanca. Mbase këtë më së mirë e kemi mësuar ne shqiptarët, ndërsa edhe e kemi përjetuar një gjë të tillë, duke besuar se na mjafton vetja nëpër bunkerë. E aleat më të natyrshëm se Amerikën shqiptarët nuk kanë pasur në historinë e tyre. Shih për këtë mreti Zog, njeriu që vuri themelet e shtetit shqiptar, kishte dërguar në këtë vend edhe motrat e tij që të martoheshin me amerikanë vetëm e vetëm për ta kultivuar edhe më këtë aleancë. Kësaj aleance shpëtimtare i kishte ndihmuar edhe diaspora jonë në Amerikë, ku jetuan dhe vepruan disa nga emrat më emblematikë të kulturës dhe politikës shqiptare, të cilët edhe u kujdesën që të ruhen dhe kultivohen këto marrëdhënie të mira.

E nëse vetë Papa Gjon Pali i Dytë pat thënë se Amerikën e ka krijuar Zoti për të vënë rend dhe rregull në botë, kush mund të jenë ata që provojnë të ndërtojnë fronte kundër saj!? Ndaj në krejt këtë përpjekje për antiamerikanizëm të aktivizuar nëpërmjet logjikës së bartur të luftës kundër imperializmit, ne mund ta dëmtojmë vetëm qenien tonë, por jo edhe këtë balenë të madhe, e cila neve peshqve të vegjël na u gjet në momentet më kritike të ekzistencës sonë. "Ekspres"

KOMENTE