Rahovec, 2 tetor 2011, NOA- Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur pak pas mesnate në Xërxë të Rahovecit. Ngjarja në fjalë dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate, kohë kur policia ka marrë një informatë se në fshatin Xërxë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Mësohet se nga këto të shtëna një 51 vjeçar me iniciale A.P., ka ndërruar jetë ndërsa djali i tij 23 vjeçar me iniciale D.P. është plagosur por gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë. Burime zyrtare nga policia e Rahovecit thanë për NOA se viktimat kanë qenë në një lokal në fshatin Xërxë, por pasi kanë dalë nga aty në parkingun e lokalit në tentativë për të hipur në veturën e tyre janë sulmuar me armë zjarri, pushkë gjuetie, nga persona të panjohur. Menjëherë pas kësaj ngjarje efektivët e policisë nisën hetimet, ndërsa thuhet se viktimat kanë prejardhje nga Kroacia, më konkretisht nga qyeti Sllovenski Brod, të cilët kanë jetuar në Hoxhë të madhe të Rahovecit. Gjithsesi dëshmitarët në vendngjarje kanë kaluar në sitën e policisë, ndërsa po punohet ende për identifikimin dhe kapjen e autorëve. a.y/NOA