Tiranë, 2 tetor, NOA – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Luzlim Basha e ka cilësuar hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, 20 vite më parë, si shenjën më të qartë të miqësisë mes dy vendeve. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e 20-vjetorit të hapjes së Ambasadës, Basha u shpreh se Shqipëria nuk mund të kishte një mik më të mirë sesa SHBA-të. “Miqësia jonë 20-vjeçare na bënë krenar. Ne nuk mund të kërkonim një mikë më të mirë sesa SHBA. Dhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës do të bëjë gjithçka me pushtetin tim që kjo miqësi të vazhdojë të rritet dhe të forcohet”, tha Basha. Ai ka theksuar se populli shqiptar beson tek SHBA, jo thjesht si tek një vend, por tek idetë e lirisë dhe demokracisë që ai mishëron. “Amerika është më shumë se një vend, më shumë se një komb, është një ide e madhe. Ideja se liria është e mundur dhe se njerëzit janë krijuar për të qenë të lirë dhe se vetëm në liri njeriu realizon atë që do. Ideja e madhe se liria është e mundur dhe se zëri i qytetarëve duhet të jetë pjesë e saj”, tha Basha. a.k/NOA