Tiranë, 2 tetor 2011, NOA – Ndërsa procesi i regjistrimit të popullsisë është në ditën e dytë të tij, kryetari i partisë për mbrojtjen e interesave çame Shpëtim Idrizi deklaroi rishtas se amendamentetet e PDIU-së frenuan orekset shoviniste për të rihapur çështje minoritetesh të stisura në Shqipëri. Idrizi gjatë një konference për shtyp ritheksoi se Komisioni i Censusit në ndryshim nga vullneti i të gjithë shqiptarëve, vendosi që në pyetësor të përfshijë edhe pyetje mbi etninë dhe mbi fenë, të cilat sipas tij janë të dëmshme për shoqërinë shqiptare. Sipas Idrizit pyetjet mbi etninë dhe fenë ngjajnë të papërshtatshme brenda këtij kuadri ligjor dhe kushtetues të paplotë dhe me rrethanat shoqërore, ekonomike apo rajonale në të cilat ndodhet vendi. Andaj tha Idrizi amendamentet e PDIU-së mundësojnë që procesi i censusit ta bëjë vetëdeklarimin e përkatësisë etnike në përputhje me nenin 12 te Ligjit për censusin i cili parashikon që të gjithë shtetasit e RSH-së janë të detyruar të japin Informacion në mënyrë të plotë dhe të saktë e të besueshme. Në këtë suazë, Idrizi rikujtoi se për ata që deklarojnë kombësi të rreme, INSTAT është i detyruar ta korrektojë vetëdeklarimin e lirë, me të dhënat zyrtare që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Duke iu referuar tërheqjes nga Censusi të PBDNJ-së dhe OMONIA-s që mbrojnë minoritetin grek, Idirizi e cilësoi këtë si një damkosje të procesit të regjistrimit përmes bojkotimit. “Kjo tërheqje do të thotë se ata individë që janë nën urdhërat e këtyre subjekteve, veçanërisht, ata që, nën thirrjen e tyre do të deklaronin identitete të rreme etnike dhe fetare, nuk do të marrin pjesë në census. Sipas këtyre subjekteve ishin pikërisht amendamentet që na “paskan cënuar të drejtën e vetëdeklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare”, tha Idrizi. Këtu Idrizi bëri me dije se PDIU do të bëhet garante e amendamenteve të saj të kaluara në Kuvend, si i vetmi mjet për të ndaluar abuzimin me regjistrimin e popullsisë. “Ne nuk thërrasim fitore për atë që ndodhi, pra se këto organizata bëjnë thirrje për bojkotim të procesit. Ne besojmë se nëpërmjet kësaj tërheqje u zvogëluan shumë mundësitë që nëpërmjet procesit të censusit, të krijohej hapësira për rivendikime minoritetesh të rreme nga fqinjët, siç është bërë e ditur gjerësisht prej disa qarqeve të caktuara të tyre. U zvogëluan mundësitë që të pretendoheshin të drejta kolektive për minoritete të rreme, në kapërcim të kuadrit juridik ndërkombëtar”, nënvizoi më tej shefi i PDIU-së. Idrizi garantoi se do ta monitorojë procesin, nëpërmjet interpelancave, seancave të pyetjeve, me qëllimin që gjithçka të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe kushtetutën dhe amendamentet e saj. “Shqipëria është dhe do të mbetet shtet unitar dhe jo multietnik”, përfundoi deklaratën e tij Shpëtim Idrizi. mit/NOA