Tiranë, 2 tetor 2011, NOA – Një ditë pas ftesës së hapur për debat publik që lidershipi socialist Edi Rama i propozoi kryeministrit Sali Berisha ka reaguar ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, i cili sugjeroi që dy kundërshtarët e hershëm politikë që nuk janë përballuar kurrë në debat të gjejnë gjuhën e komunikimit fillimisht në një takim privat e mandej të përballen në një debat publik. Këtë sugjerim ambasadori i SHBA-ve e dha për mediat gjatë kremtimit të 20-vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë. I pyetur nga mediat për ftesën e kryetarit të Partisë Socialiste, ambasadori i SHBA-ve u shpreh se nuk dinte ende për këtë propozim. Arvizu deklaroi se këtë takim dhe bashkëpunim të pangjarë ende, ai e priste para dhe gjatë zgjedhjeve vendore të 8 majit, të cilat u mbajtën dhe u mbyllën nën një atmosferë të ngarkuar politike me akuza e kundërakuza. “Përveç një debati publik do të ishte e mirë që dy lidertët të takohen privatisht njëherë”, u shpreh diplomati amerikan, duke nënvizuar se ai do të ishte i gatshëm të hapte edhe dyert e rezidencës së tij për zhvillimin e këtij takimi të shumëpritur. Vendimi për këtë takim u takon dy krerëve të opozitës dhe mazhorancës, tha Arvizu, duke shtuar se ai vetë dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë do të jenë të gatshëm ta ndërmjetësojnë këtë takim, që sipas Arvizut do të vinte në jetë bashkëpunimin e dy krerëve të partive të mëdha për një Shqipëri më demokratike dhe europiane. Të shtunën mbrëma lideri i Partisë Socialiste Edi Rama ftoi kryeministrin Sali Berisha në një debat publik. Kryesocialisti Rama theksoi se “është koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojmë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç”. Rama inkurajoi kundërshtarin e tij politik që të përballet me të dhe t’ia thotë të tëra kundërshtitë në sy, madje edhe përballë kamerave televizive dhe gjithë shqiptarëve. “Le të vijë e të m'i thotë në sy ato që flet gojështhurur larteposhtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë, pikë për pike nga 1-shi tek 10-ta. Le të vijë e të m'i tregojë në sy para opinionit publik po të dojë të gjitha arritjet historike të demokracisë, drejtësisë, ekonomisë, nën udhëheqjen e vet legjendare dhe ta debatojmë para shqiptarëve sesa të lumtur i ka bërë njerëzit qeveria e tij në këta gjashtë vjet. Le të vijë e ta bëjë publike përballë meje kundërofertën e tij, natyrisht nëse e ka një të tillë për të kërkuar mirëkuptimin e opozitës që të mbushen gropat e thella që Shqipëria ka përpara në rrugën e integrimit”, propozoi Rama. Ai nënvizoi në ftesën e publikuar në blogun e tij në internet se është gati të mbrojë ofertën e PS-së dhe të dëshmojë provat e opozitës për keqqeverisjen e vendit nga mazhoranca e kryesuar nga Berisha, duke e cilësuar kryeministrin si Nastradin. “Jam gati të mbroj ofertën tonë, të tregoj me prova, fakte, shifra të vërtetën e keqqeverisjes së këtyre gjashtë vjetëve, të dëgjoj me vëmendje të plotë kundërofertën nëse kjo ekziston. Shqiptarët pastaj le të na dëgjojnë e gjykojnë. Me shkopin e Nastradinit nuk ecet më tutje. E nëse Nastradini shkopin ka dhe asgjë tjetër, Shqipëria as ka vetëm Nastradinin e as mund të mbetet e vetme jashtë portave të Europës me shkopin e Nastradinit në dorë në vend të flamurit të Bashkimit Europian në qiellin e saj”, shkruante lidershipi socialist në ofertën më të fundit ndaj lidershipit demokrat për një debat të hapur publik. Përballja e fundit publike e liderit të PS-ë Edi Rama është ajo me ish-kandidatin demokrat për Bashkinë e Tiranës, Besnik Mustafaj, kur Edi Rama fitoi për herë parë në zgjedhjet vendore të vitit 2001 në Tiranë. mit/NOA