English

Festë amerikano-shqiptare në qendër të Tiranës

Tiranë, 2 tetor 2011, NOA – E vetmja rrugë pedonale e Tiranës, ajo “Murat Toptani” u shndërrua sot në arenën festive të kremtimit të 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike e miqësore mes Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe çeljes së ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Në një kremtim tërësisht jashtë kornizave protokollare të ambasadës siç jemi mësuar këto 20-vjet, ambasada amerikane organizoi një festë për të gjithë, politikanë e qytetarë bashkë, në rrugën e shtruar me pllaka të bardha që lidh Galerinë Kombëtare të Arteve me godinat e ministrisë së Brendshme dhe atë të Bashkisë së kryeqytetit, që mban emrin e patriotit dhe skulptorit Murat Toptani. Festa nisi nën tingujt e marshit shqiptar, “Lavdija Shqiptare”, i kompozuar nga Xhevdet Shaqja. Më pas Orkestra Frymore e Forcave tona të Armatosura luajtën himnin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentëve nënkolonel Halim Teqja dhe reshterit Altin Babameto. Aktivitetin festiv që nisi një orë para mesditës e çeli vetë ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, në cilësinë e të zotit të shtëpisë. Ambasadori amerikan falenderoi shqiptarët, politikanët e vendit për këtë miqësi të fortë shqiptaro-amerikane, që vuri në jetë këto 20 vjet, realizimin e shumë e shumë projekteve për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë, por edhe një të ardhme të shkëlqyer të marrëdhënieve mes një vendi të vogël por strategjik si Shqipëria me superfuqinë e botës, SHBA-të. “Faleminderit që na bëtë pjesë të së shkuarës dhe të ardhmes suaj”, u shpreh ambasadori Arvizu duke i lënë radhën në podium, kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha. Gjatë mesazhit të tij në këtë ceremoni, qytetari i parë i Tiranës u shpreh se shqiptarët nuk mund të kërkonin mik më të mirë se SHBA-të. Për ne qytetarët e Tiranës dhe për shqiptarët anembanë, rihapja 20 vite më parë e Ambasadës Amerikane në Tiranë përbën një ngjarje të shënuar me rëndësi kombëtare, dhe po kështu kremtimi sot i miqësisë dhe partneriteti që kemi ndarë së bashku këto 20 vite kanë një domethënie të madhe. 20 vite më parë mbi 300 mijë shqiptarë u derdhën rrugëve të Tiranës për të përshendetur James Baker dhe për të dëgjuar fjalën e tij në Tiranë. Ata erdhën nga çdo cep i vendit për të dëgjuar mesazhin që Sekretari i Shtetit dha dhe mesazhi i tij ishte i thjeshtë dhe i qartë “Liria jep rezultat”, risolli në vëmendje Kryetari i Bashkisë. Sipas tij dhe bashkëqytetarëve që drejton, Amerika ka qenë, është dhe do të mbetet më shumë se një vend, më shumë se një komb, është një ide e madhe; ideja se liria është e mundur, dhe se demokracia jep rezultat. “Miqësia dhe partneriteti ynë 20-vjeçar na bëjnë krenarë. Flas, besoj edhe në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, të Tiranës dhe anembanë Shqipërisë kur them se ne nuk mund të kërkonim një mik më të mirë se SHBA dhe si kryetar i Bashkisë, do të bëj gjithçka në pushtetin tim që kjo miqësi të vazhdojë të rritet dhe të konsolidohet. Duke ju falenderuar për këtë feste, uroj t'ia kalojmë sa më mirë dhe ashtu si Zoti e ka bekuar këtë ditë të bukur me diell, ashtu të vazhdojë t'a bekojë miqesinë midis Shqipërisë dhe SHBA”, përfundoi fjalën e tij kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha. Aktiviteti festiv i organizuar nga Ambasada Amerikane kishte si të ftuar edhe kreun e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth dhe mjaft qytetarë të ardhur të kryeqytetit. Kremtimi i 20-vjetorit të hapjes së ambasadës amerikane vijoi me interpretimin e pjesëve të njohura muzikore si “Friendsheep’s Hymn”, e kompozitorit amerikan A. Crepin; apo pjesën e kompozitorit J. Ph. Sousa “The stars and Stripes forever”, duke u përmbyllur nën tingujt e marshit “National Emblem”, krijuar nga E. E. Bagley. Më pas në podiumin e ngritur dhe në zonën përreth tij kanë performuar deri pasdite këngëtarë të muzikës shqiptare, aktorë të humorit si dhe banda e xhazit e Forcave Ajrore të FA-ve amerikane, që ka mbërritur për këtë eveniment miqësie në Tiranë. mit/NOA

KOMENTE