Tiranë, 2 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Nevoja për një debat publik mes dy krerëve të politikës shqiptare, Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama, ka bërë që krerët e diplomacisë në Tiranë të bashkohen në një zë duke kërkuar gjetjen e gjuhës së komunikimit mes tyre. Shkak për këtë qëndrim të tyre në një ditë të vetme, ndonëse nga vende të ndryshme, u bë thirrja e kreut të selisë rozë Edi Rama i cili dje kërkoi një debat publik mes tij dhe shefit të maxhorancës para të gjithë shqiptarëve. Gjithsesi edhe në këtë qëndrim ai përsëriti se, është gati të mbroj ofertën e socialistëve dhe të tregoj me prova, fakte dhe shifra të vërtetën e keqqeverisjes së këtyre gjashtë vjetëve, të dëgjoj me vëmendje të plotë kundërofertën nëse kjo ekziston duke thënë se duhen lënë shqiptarët të dëgjojnë e gjykojnë. Lidhur me këtë çështje gjatë festës së 20 vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- SHBA, ambasadori Alexander Arvizu u sugjeroi dy krerëve të politikës shqiptare që të gjejnë gjuhën e komunikimit fillimisht në një takim privat e mandej të përballen në një debat publik. Sipas tij ky takim ishte shumë i domosdoshëm gjatë zgjedhjeve të shumëdebatuara të 8 majit. Gjithsesi ai shprehu gatishmërinë për të ndihmuar dy liderat për mbarëvajtjen e këtij takimi. Ndërkaq në një prononcim për një televizion në vend, ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Ettore Sequi tha se është koha për dialog duke vlerësuar edhe deklaratat e ambasadorëve të tjerë. Në të njëjtën kohë kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë Eugen Wollfarth u shpreh se, “Është i nevojshëm dialogu, por duhet të bëhet në Kuvend. Duhen diskutuar hapat e ardhshëm për reformat e kodin zgjedhor. Dialogu është i mirë në çdo formë, por nuk duhet vendosur si kusht. Është shumë e rëndënsishme të bëhet ky debat e dialog. Por duhet të përfshijë dhe atë në Parlament mes partive. Është një hap që duhet hedhur sigurisht. Pjesë e këtij debati duhet të jetë dhe rregullorja”. Ndërkaq kreu i qeverisë shqiptare protagonisti tjetër i këtij debati të pritshëm, ende nuk e ka thënë fjalën e tij. Gjithsesi ditën e premte i pranishëm në inaugurimin e rrugës Gjinar- Elbasan ai tha se kërkesat e Ramës janë thjeshtë farsë, për të argumentuar disfatat e tij. Sakaq nga Elbasani ai ftoi kryesocialistin Edi Rama që të ulen së bashku për reformat elektorale dhe të punohet me konsensus. “Kemi 52 rekomandime, t'i adresojmë ato një nga një, që të gjitha, pa asnjë hezitim. Ai kërkon rregullore parlamenti, të shkuarën, me të shkuarën, me të djeshmen, jo të shkuarën e largët, por edhe e djeshmja na duket e largët. Ne shohim përpara. Urdhëro të marrim rregulloren e parlamentit evropian dhe në qoftë se rregullorja e këtij parlamenti ka qoftë edhe një nen që nuk përputhet me rregulloren e tempullit të demokracisë evropian, urdhëro ta ndryshojmë, por ai nuk i do këto. Këto i ka thjesht farsë. Njëlloj si në vjeshtën e vitit 2009. Ai i kërkon këto vetëm e vetëm që të shkojë drejt Kongresit dhe të marrë vendimet e tij, vendime të cilat do i japin në 2013 disfatën më të thellë që ka njohur në tërë historinë e vet. Nuk do reformë zgjedhore, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë, nuk do reformë të rregullores së parlamentit, përkundrazi do me çdo kusht ta bllokojë atë. Njeriu që ka shndërruar bllokimin në parzmore të tij dhe kujton se nuk e sheh kush. Të gjithë e shohin. Me bllokimin, zoti Rama ke shkuar nga disfata në disfatë”, u shpreh Berisha. a.y/NOA
Në foton kryesore: Edi Rama dhe Sali Berisha
Në foton e dytë: Ambasadori Amerikan në Tiranë Alexander Arvizu, Ambasadori i OSBE Eugen Wollfarth dhe Ambasadori i BE Ettore Sequi