Dubai, 2 tetor, NOA – Sheikët arab kanë vendosur të kalojnë çdo limit të shpenzimeve për luks. Një tjetër hotel me shtatë yje është hapur në Dubai, por këtë herë e veçanta është se yjet nuk janë për njerëzit, por për qentë. Hoteli quhet “Urban Tails Pet Resort” dhe është i pari hotel në botë për kafshë që ka shërbim me 7 yje. Hoteli quhet i veçantë sepse ka vende të ndara për qentë dhe për macet. Menaxherët llogarisin se me kapacitetet e plota mund të mikëpriten 70 qenë dhe 40 mace. Çdo dhomë për kafshët ka një televizion plazma. Qëllimi është që me anë të televizionit të krijohet një ambient sa më familjar, i ngjashëm me atë të shtëpive ku jetojnë kafshët. Shërbimi për qentë është njëlloj si për sheikët apo milionerët perendimor. Në “Suitën Mbretërore”, kalim i një nate, për një mace apo një qen kushton 105 dollarë. Pjesë e ofertës është dhe në xhiro me limuzinë. a.k/NOA