English

Një histori krijuese e tranzicionit ekonomik

Nga Aleksandër Meksi Profesor Anastas Angjeli, sapo i ka ofruar publikut, shqiptar dhe të huaj, monografinë “Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri”, botuar në gjuhën angleze. Ky libër me shumë vlera përbën një analizë profesionale mbështetur në realitetin shqiptar, atë të procesit të tranzicionit ekonomik dhe të progresit të lirisë ekonomike të deritanishëm të Shqipërisë. Përvoja e pasur personale e autorit është bashkuar me njohuritë e tij të thella teorike e shkencore mbi tiparet dhe modelet e zhvillimit. Përvoja, njohuritë dhe përkushtimi e bëjnë kontributin e prof. Angjelit, një material të vyer. Libri mbulon një periudhë kohe të gjatë, gati dy dekada, dhe një tematikë zhvillimesh shumë të gjera, që i kapërcejnë në disa raste kufijtë e ekonomisë dhe i ndërlidhin ato me kontekstin e zhvillimeve politike dhe shoqërore të vendit. Megjithatë, libri ka vendosur në fokus procesin e reformimit dhe konsolidimit të ekonomisë së tregut në Shqipëri, zhvillimet në sektorë jetësorë të ekonomisë, sfidat, sukseset, por edhe problemet dhe dështimet e sistemit të ri ekonomik. Vlera shkencore dhe praktike e këtij libri, si dhe ajo historike dhe didaktike, vijnë si rrjedhojë e një mbulimi kronologjik dhe problemor të zhvillimeve ekonomike dhe sociale të Shqipërisë në periudhën e tranzicionit. Analiza konkrete ekonomike e ngjarjeve, të dhënat shkencore dhe statistike të shndërrimeve multidimensionale ekonomike paraqesin një tablo të qartë të karakteristikave bazë të ekonomisë shqiptare të sotme. Pikërisht mbështetja në atë që ka ndodhur, të dhënë me procese dhe shifra e dallon këtë monografi nga studimet e derisotme, të studiuesve vendas dhe të huaj, që në themel të paraqitjeve të tyre kanë dukuritë sipërfaqësore apo paragjykime politike të pashoqëruara me shifra e ndodhitë reale. Duke analizuar fazat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, nga ekonomia e centralizuar komuniste në atë të tregut dhe duke përpunuar statistikat ekonomike dhe financiare ndër vite, ky libër ofron një krahasim të ekonomisë vendase me ekonomitë e vendeve fqinje, që kanë qenë pjesë e të njëjtave zhvillime dhe të njëjtit proces tranzicioni me Shqipërinë. Transformimi i marrëdhënieve të pronës, reforma strukturore e procesit të privatizimit, liberalizimi i çmimeve dhe tregtisë, zhvillimi i sektorit privat, krijimi dhe zhvillimi i sistemit të ri financiar-bankar, si dhe zbatimi i politikave monetare dhe fiskale janë të para si të lidhura ngushtë me nivelin e lirisë ekonomike në Shqipëri. Është hera e parë që një autor shqiptar e sheh të nevojshme të analizojë dhe të publikojë një analizë specifike mbi faktorët që matin dhe ndikojnë lirinë ekonomike në përgjithësi. Profesor Angjeli shkon edhe më tej dhe këto koncepte i aplikon mbi situatën në Shqipëri, duke shfaqur një lidhje të ngushtë midis trendit të Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe zhvillimet e tranzicionit shqiptar. Kjo, e shoqëruar edhe me një interpretim shumë pragmatik të të dhënave, si dhe të vlerësimeve personale mbi transformimet më të rëndësishme ekonomike të Shqipërisë, e bëjnë këtë libër analizën ekonomike më të vyer në periudhën postkomuniste. Shpresojmë se kjo monografi do të jetë një nxitje për kërkimet shkencore dhe mendimin ekonomik shqiptar. Autori vërteton edhe një herë se është një njohës i mirë i realitetit ekonomik të tranzicionit, si dhe të progresit të lirisë ekonomike në vend. Përveç kontributit të vazhdueshëm dhe punës si ministër i Financave, Ekonomisë, Punës dhe mbajtës i posteve të tjera të rëndësishme zyrtare, prof. Angjeli shton inputin e tij ekonomik, duke i ofruar lexuesit këtë libër, i cili sigurisht që nuk është libri i tij i parë, por që sigurisht nuk do të jetë as i fundit në rrugën e gjatë të tranzicionit shqiptar. Libri i prof. Angjelit vjen në kohën e duhur. Ai plotëson një boshllëk të ndjeshëm në mendimin ekonomik të kohës sonë dhe të informacionit për këto zhvillime brenda e sidomos jashtë vendit. Duhet të themi se debati politik i mbarsur me mllefe në Shqipëri ka errësuar, shpesh edhe mënjanuar ose mbytur, debatin shkencor dhe profesional. Këtë fat ka pasur edhe debati për çështje të ekonomisë. Mund të them, ndoshta dikush mund edhe të më korrigjojë, se debati shkencor ekonomik në Shqipëri ka mbetur prapa zhvillimeve ekonomike. Kjo jo se në Shqipëri mungojnë ekspertët dhe profesionistët. Por për shkak se mungon klima për zhvillimin e debatit dhe konteksti i zhvillimit të tij. As masivizimi i universiteteve private, në të cilin prof. Angjeli ka meritën e tij, me krijimin dhe drejtimin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, nuk e ka përmirësuar dukshëm klimën dhe burimet për kërkimin dhe debatin shkencor në Shqipëri. Interesi dhe ambiciet nuk po mbështeten sa duhet me burime financiare e njerëzore, të nevojshme për kërkimin shkencor. Prandaj, debati dhe kërkimi janë ende prapa pritshmërive të shoqërisë kur ato duhej ta paraprinin. Ky libër bën thirrje për më shumë sensibilitet në nxitjen e botimeve, kërkimeve dhe analizave strategjike në mbështetje të zhvillimit të Shqipërisë. Gjithashtu, prof. Angjeli një vëmendje të veçantë i ka kushtuar zhvillimeve ekonomike në kushtet e krizës së fundit globale dhe veçanërisht të vendeve të Eurozonës dhe ndikimit të saj në ekonominë shqiptare. Siç është e njohur po bëhen disa vite që ekonomia europiane dhe botërore po përjeton një nga krizat më të rënda ekonomike dhe financiare në histori. Kjo krizë ka prekur dhe ndikuar rritjen ekonomike në mjaft vende e rajone të botës së zhvilluar, duke sfiduar jo vetëm politikëbërësit e ekonomisë dhe të politikës europiane dhe botërore, por madje edhe ekspertët dhe strategët e zhvillimit ekonomik. Recesioni në të cilin hynë dhe mund të rihyjnë shumë ekonomi të zhvilluara ka ngritur pikëpyetje të mëdha, që lidhen me fatin e kooperimit ekonomik ndërkombëtar, impaktet, pasojat dhe të ardhmen e procesit të globalizimit, garancinë e zhvillimit të qëndrueshëm, prosperitetin e vendeve të prekura, stabilitetin e tyre ekonomik dhe politik. Në disa raste pasojat e krizës po sfidojnë edhe vetë ekonominë e tregut të lirë dhe aftësitë e saj për të përballuar dhe rikuperuar pasojat e krizave dhe recesioneve, duke bërë thirrje për ndryshime, verifikime dhe riprogramime të përparësive dhe dinamikave të zhvillimit të ekonomive. Në mënyrë vëzhguese, kronologjike, shkencore dhe interpretuese në këtë botim gjejmë opinionin e autorit për një sërë dilemash që janë sot në qendër të debatit si: o A është kriza një krizë thjesht financiare? o A është kriza vetëm një krizë e BE-së dhe SHBA-së? o A është kriza një krizë vetëm e botës dhe ekonomive të zhvilluara? o A është kriza pasojë e avancimit dhe entuziazmit me të cilën shumica e vendeve dhe ekonomive po përjetojnë procesin e globalizimit? o A është kriza vetëm një krizë e borxheve? o A është kriza një krizë vetëm e EURO-s dhe e Eurozonës? Pra a do të dorëzohet Euro? o A është kjo krizë e ngjashme me recesionet e tjera që ka provuar bota? o A është prekur ekonomia jonë nga kriza dhe në çfarë drejtimesh? o Çfarë duhet të konsiderojmë më mirë në ekonominë tonë nga kriza e Eurozonës veçanërisht nga tronditjet në Greqi dhe Itali? Cilat janë mësimet që duhet të nxjerrë ekonomia jonë nga kjo krizë? o A janë ritmet e rritjes ekonomike dhe parashikimet optimiste të bazuara, të argumentuara dhe realiste dhe cilat duhet të pranojmë si reale? o A po ecim me ritmet e duhura drejt proceseve integruese dhe globalizuese? o A konstatohet një korrelacion midis rritjes ekonomike dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së popullsisë? o A është modeli i zhvillimit ekonomik modeli i duhur për Shqipërinë? Apo Shqipëria ndodhet në këtë stad zhvillimi përpara nevojës për një strukturim të ri të ekonomisë së saj? Duke lexuar këtë libër të vyer, çdo ekspert dhe profesionist, por edhe një lexues i thjeshtë, mund të ndërtojë lehtësisht një paralele midis asaj që ka ndodhur me ekonominë shqiptare dhe atyre që lexon në këtë libër. Një histori realiste dhe krijuese e tranzicionit ekonomik, ja si mund të vlerësohet ndryshe ky libër i domosdoshëm. *Marrë nga gazeta Shqip

KOMENTE