Tiranë, 2 tetor 2011, NOA - Vetëm pak orë pas publikimit të editorialit, kryetari i PS-së Edi Rama ka përsëritur sfidën e tij për kreun e mazhorancës Sali Berisha. Edhe këtë herë, kryesocialisti ka zgjedhur mjetet e alternative për të komunikuar me kundërshtarin e tij, por edhe me qytetarët. Në faqen e tij në rrjetin social Twitter Rama ka postuar disa orë më parë ftesën për kryeministrin: “Saliun e pres në debat para shqiptarëve”. Një ditë më parë Rama, në editorialin e tij theksonte se përballja publike me kryeministrin do të bëhej mbi argumentet kryesore të dy palëve dhe për paktin me 10 pika të propozuar nga e majta. “Është koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojmë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Le të vijë e të m'i thotë në sy ato që flet gojështhurur lartë e poshtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë, pikë për pike nga 1-shi tek 10-ta”, shkruante dje Rama. I vetmi ndryshim është se ndërsa dje, Rama e cilësonte nevojën e dialogut si një zhvillim pozitiv, pas heshtjes nga ana e mazhorancës, sot shprehet në mënyrë taksative; “e pres në debat”. a.k/NOA
Në foto: Kryetari i PS Edi Rama, Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Carola Muller-Holtkemper dhe Kryeministri Sali Berisha