English

Aldo Bare i shpëton burgut të përjetshëm, Apeli rrëzon vendimin

Tiranë, 3 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Gjykimi ndaj ish kreut të “Bandës së Lushnjes” do të nisë nga zero. Gjykata e Apelit rrëzoi sot dënimin me “burg përjetë” për Aldo Baren, dhe riktheu për gjykim dosjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Avokati i Aldo Bares, Vladimir Meçi ka deklaruar se klientit të tij do t`i bëhet një gjykim nga fillimi për të gjitha akuzat e ngritura, ndërsa ka shtuar se gjatë gjykimit ka patur shkelje të rënda proçeduriale. Më 28 mars të vitit 2011 Gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin “burg për jetë” për kryetarin e “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare. Trupi gjykues e shpalli fajtor Baren për 5 vrasje duke vendosur dënimin maksimal për veprat penale. Ish kreu i bandës famëkeqe qëndroi shtatë vite në arrati dhe vetëm në 2006-ën iu vunë prangat nga policia turke. Në vitin 2009 u ekstradua drejt Shqipërisë dhe Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli vendimin e fajësisë, duke e dënuar të akuzuarin si me burgim të përjetshëm. Bare u dënua nga shkalla e parë e gjyqësorit për disa vrasje dhe krime të rënda, të kryera në kuadër të bandës kriminale, që e krijoi në shenjë hakmarrjeje ndaj rivalit të tij Artur Daja. Aldo Bare e bënte përgjegjës Dajën, me të cilin dikur kishte patur miqësi, për ekzekutimin e vëllait, Ramadan Shkurti. Prej 2 korrikut 1997, kur vëllai i Bares u qëllua për vdekje nga Artur Daja, hakmarrja e ish-efektivit special nuk njohu kufij. Për vite me radhë Aldo Bare sundoi në zonën e Myzeqesë dhe banda e tij ekzekutoi një pas një të gjithë kundërshtarët, të afërm dhe miq të Artur Dajës. Duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë, Aldo Bare akuzohet se është përgjegjës për akuzat: "Vrasje me paramendim" të shtetasit Genci Kashari, "Vrasje me paramendim" të shtetasit Masar Aliu, "Vrasje me paramendim" të shtetasit Xhevat Demiri, "Vrasje me paramendim" të shtetasit Nimet Zeneli, "Vrasje me paramendim" të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja, "Vrasje me paramendim", të mbetur në tentative ndaj shtetasve Gramoz Selmani dhe Masar Aliu. a.q/NOA

KOMENTE