Tiranë, 3 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka kërkuar klasës politike shqiptare të lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, si dhe integrimin dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane. Në një takim me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam kreu i shtetit shprehu domosdoshmërinë dhe nevojën e bashkimit të vullneteve politike në vend për gjetjen rrugëve efikase të komunikimit dhe bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare në shërbim të reformave thelbësore ee të rëndësishme të kuadrit politik, ligjor, ekonomik dhe social, si dhe për plotësimin e kritereve kyçe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Klasa politike shqiptare duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, si dhe integrimin dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane”, – theksoi Presidenti i Republikës. Nga ana e saj, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam vlerësoi rolin institucional dhe publik të Presidentit Topi në zhvillimet politike në Shqipëri, përmes mesazheve të qarta dhe koherente për dialog, bashkëpunim dhe angazhim serioz të të gjithë aktorëve politikë e institucionalë për kapërcimin situatës aktuale politike në vend. Gjithashtu Ambasadorja Mekiluam theksoi nevojën për një agjendë kombëtare reformash strategjike të arritur me vullnet të qartë dhe konsensus politik, e cila do të mundësojë integrimin e vendit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian. a.q/NOA