English

Berisha: Brenda 2012 përfundon Regjistri Themelor i Tokës

Tiranë, 3 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e parë të Task Forcës për Regjistrin Themelor të Tokës. Kjo Task Force, e kryesuar nga Kryeministri Berisha, ka si objekt pune ndjekjen e Implementimit të Projektit të Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP), me Bankën Botërore, për komponentin “A”, “Siguria e pronësisë dhe të drejtat e Regjistrimit të pasurive të paluajtshme ”. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Berisha theksoi se, pas Regjistrit të Gjendjes Civile, Regjistri Themelor i Tokës është regjistri më kryesor i vendit dhe se ai duhet të përfundojë brenda vitit 2012. Në këtë kuadër Kryeministri tha se duhet të angazhohen të gjitha burimet dhe fondet për kompletimin e këtij procesi. “Regjistri Themelor i Tokës është përparësia numër një e qeverisë. Ne duhet të kemi regjistrin dixhital të tokës për të gjithë territorin e vendit”, u shpreh Kryeministri. Ai kërkoi angazhimin maksimal të Task Forcë-s dhe strukturave të përfshira në këtë proces për përfundimin brenda vitit të ardhshëm të sistemit dixhital të regjistrimit të të dhënave. Burime zyrtare nga Kryeministria bënë me dije se Task Forca për Regjistrin Themelor të Tokës do të mblidhet në mënyrë periodike për të marrë në shqyrtim çështje të ndryshme që lidhen me sistemin dixhital të regjistrimit të të dhënave dhe futjen në këtë regjistër të të gjitha të dhënave dhe kartelave përkatëse për regjistrimin e tokës, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të institucioneve të tjera të pavarura shtetërore dhe të specialistëve të fushës. Në përbërje të Task Forcë-s janë ministri i Drejtësisë, ministri i Financave, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zëvendësministri i Drejtësisë, zëvendësministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zëvendësministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe këshilltari i Kryeministrit për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Task Force

KOMENTE