Tiranë, 3 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Mazhoranca po përgatitet të votojë projektligjin “Për decentralizimin e pushtetit vendor”, i cili ligjëron edhe fondet për bashkitë dhe komunat në Shqipëri. Kryeministri berisha në takimin e përjavshëm me deputetët demokratë deklaroi se, tani që të gjitha strukturat vendorë janë konstituar, duhet të ndërrmerren një seri reformash, në mënyrë që pushtetarët vendorë të kenë përgjegjësi për zhvillimin e komunave dhe bashkive të tyre. “Një paketë fiskale, e cila prej vitesh priti votën e PS-së në Kuvend, në mënyrë që të kalonte me konsensus, dhe një seri taksash qëndrore që kalonin si taksa lokale, u bllokuan. Qëllimet tashmë janë të njohura. Rama besonte se do të ishte kryeministri i vendit. Ndaj dhe urdhëroi grupin e tij të mos votojë decentralizimin, për të cilin kishim rënë 100% dakord me grupet e përbashkëta. Atë ligj ne duhet ta votojmë. Ligjet s’mund të rrinë në pritje të Godosë, meqë nuk duan 3/5 e votave të cilat Rama po i bllokon”, tha kryeministri Berisha. Ai ka autorizuar deputetët që të nisin sa më parë në zonat e tyre konsultime me drejtuesit vëndorë, në mënyrë që në përgatitjen e buxhetit për vitin 2012 të parashikohet edhe ligji i ri. “Angazhohuni në një debat më të zgjedhurit tuaj për decentralizimin. Do bëjmë gjithçka që përfitues nga zonat e bashkisë të jenë edhe qytetarët. Qeveria qendrore do të heqë dorë nga një sërë lejesh dhe autorizimesh që duhet t’i takojnë vendorëve. Qeveria qendrore s’mund të jetë pronare, pronari i ri do të jetë pushteti vendor”, tha kreu i qeverisë. a.q/NOA (vijon)