English

Berisha mesazh urimi Merkel, për ditën e bashkimit të Gjermanisë

E hënë, 3 tetor 2011, NOA- Me rastin e ditës së ribashkimit të Gjermanisë, Kreu i Qeverisë shqiptare Sali Berisha i dërgoi një mesazh urimi Kancelares gjermane Angela Merkel. Ai e ka cilësuar 3 Tetorin si një ngjarje madhështore historike jo vetëm për kombin gjerman, por edhe për Kontinentin Europian e mbarë njerëzimin për mesazhet e paçmuara të lirisë e të vlerave të saj që kjo ngjarje përçoi në mendjen dhe zemrën e çdo qytetari, familjeje e kombi, që kishin përjetuar pashpirtësinë komuniste dhe peshën e rëndë e barbare të izolimit të perdes së hekurt dhe që tashmë po jetonin ëndrrën më të bukur për ndryshim, liri e dinjitet njerëzor. Mesazhi i plotë i Kryeministrit Berisha:

“E dashur Kancelare Merkel, Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e 3 Tetorit, ditës së madhe të ribashkimit të Gjermanisë, t’Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, Juve, qeverisë dhe popullit gjerman, mik i madh dhe i ngushtë i Shqipërisë e shqiptarëve, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për zhvillim të mëtejshëm, begati e lumturi të vendit dhe kombit tuaj. 3 tetori i vitit 1990 shënon një ngjarje madhështore historike jo vetëm për kombin gjerman, por edhe për Kontinentin Europian e mbarë njerëzimin për mesazhet e paçmuara të lirisë e të vlerave të saj që kjo ngjarje përçoi në mendjen dhe zemrën e çdo qytetari, familjeje e kombi, që kishin përjetuar pashpirtësinë komuniste dhe peshën e rëndë e barbare të izolimit të perdes së hekurt dhe që tashmë po jetonin ëndrrën më të bukur për ndryshim, liri e dinjitet njerëzor. Sot të gjithë ne miqtë e kombit Tuaj ndihemi të lumtur që Republika Federale e Gjermanisë, në gjirin e familjes së madhe europiane, vijon të mbetet shembull frymëzimi për demokracinë e saj, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në thellimin e zgjerimin e projektit më ndriçues që rajoni ka njohur, integrimin europian, si dhe për promovimin e paqes e të të drejtave të njeriut në çdo skaj të planetit tonë. Shqiptarët janë krenarë që, nën shembullin e kombit mik gjerman, rrëzuan në fillim të viteve 1990 diktaturën hoxhiste, më të egrën në Europë, kanë ndërtuar sot një demokraci funksionale të bazuar në ekonominë e tregut të lirë dhe po punojnë me vendosmëri për projektin madhor kombëtar të anëtarësimit në BE. Në këtë kontekst, unë shfrytëzoj rastin t’Ju rishpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer të Gjermanisë mike, Tuajën dhe të qeverisë që Ju kryesoni si në drejtim të integrimit euroatlantik, ashtu edhe në bashkëpunimin dypalësh i cili ka njohur gjatë kësaj periudhe lartësi të papara ndonjëherë më parë. Duke Ju shprehur edhe një herë dëshirën time dhe të të gjithë shqiptarëve për t’Ju pritur sa më parë në Shqipëri, si mike të madhe dhe të çmuar të kombit shqiptar, shfrytëzoj rastin t’Ju ripohoj sigurimet e konsideratës më të lartë. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Berisha, Kancelarja Merkel

KOMENTE
  • Zenel Daci19:28 - 03 Tetor 2011
    me ki pelqy ma shum me na urua kur te vjen koha bashkimin ton kombtar..se keta e kan kry e ne kemi rendin tash.prsh