English

Debati publik, Rama refuzohet nga kryeministri Berisha

Tiranë, 3 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – E hëna shënoi një tjetër pikë – ndarje mes dy faktorëve kryesorë politikë në vend. Kryeministri Berisha dhe partia që ai drejton refuzuan publikisht daljen në një debat me kryetarin socialist Edi Rama, pas ftesës së këtij të fundit. Në argumentimin e tij, kreu i mazhorancës shprehet se nuk do që të ndikojë në kongresin që PS pritet të mbajë pas pak muajsh e në këtë mënyrë në pozitat aktuale të kreut të socialistëve. Dhe shpjegimin me të qartë, Berisha e dha edhe në rrugë zyrtare, nëpërmjet zëdhënëses së Partisë demokratike. Edhe këtë herë, media bëri ndërmjetësin mes dy selive dhe kryetarëve respektivë. Sejcili prej tyre, Rama e Berisha pohuan dhe refuzuan nëpërmjet mediave.

Ora 12.05 Rama fton Berishën në debat publik për paktin kombëtar

Këtë fillim jave kryesocialisti Edi Rama ka hedhur një hap të ri. Nga editoriali i së shtunës, këtë të hënë ai ka ftuar " me zë dhe figurë" rivalin e tij politik Sali Berisha për një debat publik për paktin e propozuar nga të majtët. Madje sot, kryeocialisti ka hedhur edhe idenë e një tryeze civile. Gjatë një fjalimi përpara deputetëve të grupit kuvendor socialist Rama u ndal në interpelancën e së enjtes, që kryeministri Berisha pati me deputetin socialist Erion Braçe.

"Berisha nuk iu përgjigj pyetjeve tona, por zaptoi foltoren dhe mbajti një fjalim me përralla e marrëzira, ne synimin e vetëm: të ofendojë opozitën. Ndërkohë ne, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga pala tjetër për ofertën tonë me 10 pika për paktin kombëtar. U kemi shtrirë dorën për të shmangur një shuplakë tjetër nga Europa dhe kemi marrë si përgjigje shpifje banale e personale, asgjë për paktin", tha kryetari i PS përpara deputetëve, duke këmbëngulur që presin një përgjigje nga mazhoranca.

"Dua t'ia kërkoj sot Saliut, me zë dhe me figurë, të vijë në një debat. Shqipëtarët meritojnë të dinë nga ne, çfarë synojmë ne opozita me këtë pakt dhe si mund ta bëjë Saliu Shqipërinë si gjithë Europa pa këtë pakt me opozitën. Vetëm duke sharë opozitën nuk përshpejtohet integrimi. Nëse ka propozim tjetër, Berisha është i ftuar ta paraqesë, pasi ne do ta shohim me seriozitet", ka garantuar Rama dukë përsëritur ftesën për debat me kryeministrin.

Ora 13.30 Berisha refuzon: Ulemi vetëm për reformën

Ndërsa Berisha i ka thënë “Jo” Ramës dhe mundësisë për përballjen publike me të. Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor, Berisha është pëegjigjur prerë se, reforma zgjedhore është çështje e vetme e uljes në një tryezë të dy partive.

"I nderuar Zotëri,

Jemi plotësisht të vendosur të bashkëpunojmë në interesin më të mirë të vendit për reformën zgjedhore. Jemi të gatshëm në kushte pariteti, të ulemi në një komision kuvendor për reformën zgjedhore. Komisioni do të ketë në axhendë adresimin e 52 rekomandimeve të dy ekipeve të OSBE/ ODIHR për zgjedhjet 2009 – 2011. Nesë ju doni, komisionin e ngremë brenda ditës së enjte”, iu drejtua Berisha kryesocialisti Rama nëpërmjet mediave.

Ora 14.00 PD konfirmon zyrtarisht: Berisha s’del në debat. S’do të ndikojë në kongresin e PS-së.

Partia Demokratike pak minuta pas fjalës së kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor, shprehet zyrtarisht se nuk është koha për debate Berisha-Rama, pasi mund të ndikojë në kongresin e nëntorit të PS. Koha e mundshme, sipas PD-së është ajo e prag-zgjedhjeve të vitit 2013.

“Zoti Berisha ka qënë i gatshëm për të debatuar me të në të shkuarën. Ai e ftoi zotin Rama për të debatuar për zgjedhjet e vitit 2009 dhe është i gatshëm për të debatuar me liderin e opozitës përpara zgjedhjeve të vitit 2013, por zoti Berisha beson se tani nuk është kohë për debate vecanërisht për shkak se nuk do të ishte e përshtatshme për Partinë Demokratike të ndikonte në Kongresin e ardhshëm të Partisë së zotit Rama. Duke gjykuar nga gjuha e letrës së hapur të zotit Rama, ai mund të dojë që të bëjë luftë politike dhe të debatojë për të shkuarën, por tani nuk është koha që ne të fokusohemi mbi mosmarrëveshjet tona. Partia Demokratike beson se tani është koha për t’u fokusuar në ato cështje ku ne mund të biem dakord dhe ti realizojmë ato në të mirën e qytetarëve shqiptarë. Qytetarët shqiptarë kanë pritur për vepra përgjatë dy viteve të shkuara dhe tani që Partia Socialiste është kthyer në Parlament edhe pse ata ende vazhdojnë të refuzojnë të votojnë është detyrim i të gjithëve të punojmë për të miratuar çështjet për të cilat ne mund të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe konsensus. PD beson se qytetarët meritojnë më shumë sesa një Parlament të mbetur pezull në mënyrë të vazhdueshme, në pritje të zgjedhjeve të ardhshme. Kryetari i PD z. Berisha e ka bërë të qartë tashmë se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me Partinë Socialiste për reformën zgejdhore dhe atë parlamentare, dy çështje në të cilat dialogu mund të bëjë progres. Nëse z. Rama është thjesht duke u angazhuar në një betejë tjetër politike dhe retorika e tij është e pasinqertë atëherë, ne, mendojmë se të gjithë mund ta përdorim kohën më mirë. Por nëse zoti Rama është serioz në lidhje me çuarjen përpara të reformave PD është e gatshme për të vepruar”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike, përcjellë nga zëdhënësja Albana Mustafaraj. a.q/NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi16:12 - 03 Tetor 2011
    Ala vazhdoka ngerci ne Tirane?