English

Jahjaga dënon vrasjen e Salihut: Nuk është bërë ajo që duhej në vendosjen e ligjit

Prishtinë, 3 tetor 2011, NOA- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dënoi ashpër aktin e shëmtuar dhe makabër të vrasjes së drejtorit të Drejtorisë së Arsimit të Prishtinës, Remzi Salihut. Në qëndrimin e saj ajo e cilësoi vrasjen e tij, si një sulm ndaj zyrtarit të lartë të institucionit të arsimit të Republikës së Kosovës. “Kjo tregon se ende nuk është bërë gjithë ajo që duhet në vendosjen e rendit dhe të sundimit të ligjit në Kosovë dhe në parandalimin efikas të krimit. Ne duhet vazhdimisht të punojmë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të punojnë të qetë duke i vënë përpara drejtësisë të gjithë shkelësit e ligjit dhe duke forcuar punën e organeve të hetuesisë dhe të gjyqësisë”, u shpreh Jahjaga. Në vijim të mesazhit të saj, ajo i shprehu ngushëllimet familjes Salihu, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, duke kujtuar me respekt kontributin dhe punën në përparimin e arsimit, një komponent shumë i rëndësishëm për popullin kosovar. a.y/NOA

Në foto: Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

KOMENTE