Antalia, 3 tetor, NOA - Evropa Juglindore duhet të jetë një model për rajonet e tjera, mbi bashkë-ekzistencën në paqe mes komuniteteve multi-kulturore.
Të këtij mendimi dhe në një zë të përbashkët, janë shprehur ministrat e Mbrojtjes nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Italia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia; gjatë një takimi të përbashkët mes tyre, i cili u zhvillua në Antalia të Turqisë.
Siç raporton agjencia turke “Anadolu Agency”, bëhet fjalë për forumin e përbashkët mes këtyre vendeve të rajonit ku bën pjesë edhe vendi ynë, me emrin “Procesi ministerial i Mbrojtjes 2011” (SEDM).
Takimi është pritur nga Ministria turke e Mbrojtjes në qytetin e Antalias, e mes të ftuarve ka qenë i pranishëm edhe zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, së bashku me zyrtarë të lartë ushtarakë që kanë marrë pjesë në këtë takim të rëndësishëm për sektorin e mbrojtjes në rajonin tonë.
Në fjalimin e hapjes së këtij eventi të rëndësishëm, ministri turk i Mbrojtjes, Ismet Jilmaz, u shpreh se në Evropën Juglindore Procesi i Ministerialit të Mbrojtjes paraqet një potencial të madh për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore midis vendeve pjesëmarrëse, mes tyre edhe Shqipëria. Ai tha gjithashtu se procesi ka shërbyer edhe si një mekanizëm i ndërtimit të besimit.
n.e/NOA