Tiranë, 3 tetor 2011, NOA – Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Popovski viziton sot Tiranën ku do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit. Kryediplomati Popovski vjen në Tiranë me ftesë të zëvendëskryeministrit, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto. Në qendër të diskutimit mes dy homologëve në rajon do të jetë bashkëpunimi bilateral në fusha të ndryshme, integrimi në BE dhe në nismat e tjera euroatlantike. Nisur nga fakti se sikundër edhe në Shqipëri edhe në Maqedoni në 1 tetor ka nisur regjistrimi i popullsisë apo Censusi pritet që çështje me rëndësi në diskutimet mes Haxhinastos e Popovskit të jetë edhe bojkotimi i lajmëruar i regjistrimit nga ana e pakicës maqedonase që jeton në Shqipëri. Diskutimet mes dy krerëve të diplomacive synojnë arritjen e një zgjidhjeje duke qenë se dy palët e kanë tejet të rëndësishëm suksesin e Censusit të popullsisë dhe banesave, si një kërkesë e BE-së. Dy kryediplomatët e vendeve fqinje pas takimit kokë më kokë do të mbajnë një konferencë për shtyp në mjediset e MPJ-së. Mandej, kryediplomati maqedonas do të takohet me kryeministrin Sali Berisha, presidentin Bamir Topi dhe kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Gjithashtu ai ka në axhendën e tij të vizitës edhe takime me komunitetin pakicë të maqedonasve.
Axhenda e vizitës së ministrit të Jashtëm të Maqedonisë Nikolla Popovski:
Ora 09.30-09.45 Takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.
Ora 09.45-10.30 Takim bilateral midis dy delegacioneve, të kryesuar nga Ministrat e Punëve të Jashtme.
Ora 10.30-10.55 Konferencë për Shtyp e dy ministrave të Jashtëm.
Ora 11.00 -11.50 Takim me Kryeministrin Sali Berisha
Ora 12.00-12.45 Takim me Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli
Ora 12.50-13.35 Takim me Presidentin e Republikës Bamir Topi.
Ora 13.40-15.00 Drekë zyrtare me Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
Ora 15.30-15.55 Takim me Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Politikave të Jashtme, Fatos Beja
Ora 16.00-16.40 Takim me Minoritetin Maqedonas në Shqipëri