English

Rama: Takim privat me Saliun? Privatisht takoj vetëm miqtë

Tiranë, 3 Tetor 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Nuk do të ketë një takim privat mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, ashtu siç u sugjerua një ditë më parë nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu. Pohimin e ka bërë sot kryetari socialisti Edi Rama, i cili theksoi se vetëm me miqtë mund të bëjë takime private e kurrsesi me kundërshtarin e tij politik: “Takim privat me Saliun? Privatisht takoj vetëm miqtë. Saliun e pres në debat para shqiptarëve”, - ishte deklarata e prerë e z.Rama sot, citon agjencia e lajmeve NOA. Reagimi i z.Rama erdhi pasi e kishte ftuar fundjavën e kaluar kryeministrin në një debat publik ku të ballafaqonin problematikat e vendit dhe këndvështrimet e tyre. Ftesa e z.Rama solli reagimin e ambasadorit të SHBA-ve, Arvizu, i cili dje në ceremonitë e 20 vjetorit të rifillimit të marrëdhënieve diplomatike SHqipëri-SHBA, tha se një debat do të ishte hap pozitiv, por më parë duhet të bëhej një takim privat mes tyre. Z.Arvizu në prononcimin e tij dje, vlerësoi se e mira do të ishte që debati të ishte bërë përgjatë fushatës elektorale, kurse ftoi Berishën dhe Ramën që të bëjnë një takim privat pa prani kamerash e medias dhe pa prononcime publike, duke vënë në dispozicion edhe rezidencën e tij diplomatike. Sot, kryesocialisti e riftoi Berishën në debat: “Dua t’ia kërkoj sot Saliut edhe me zë e me figurë që të vijë në një debat përpara shqiptarëve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë të dinë si do të dalim nga ky udhëkryq, ku as Europa s’na nxjerr dot, as shqiptarët s’duan të rrinë. Meritojnë të dinë çfarë kemi për t’i thënë njëri tjetrit sy më sy dhe në sy të tyre për ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Meritojnë të dinë nga ne, në një debat të hapur çfarë synojmë, ne, opozita, pikë për pikë, me këtë ofertë me një Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa dhe si mund ta bëjë Saliu si gjithë Europa Shqipërinë pa këtë pakt me opozitën. Nëse nuk e pranon ofertën tonë, natyrisht”, - tha z.Rama. Rreth gjysmë ore më vonë, erdhi reagimi i z.Berisha, si refuzim i hapur për ftesën, kurse pak minuta më pas, qëndrimi zyrtar i PD: “Berisha beson se tani nuk është kohë për debate veçanërisht për shkak se nuk do të ishte e përshtatshme për Partinë Demokratike të ndikonte në Kongresin e ardhshëm të Partisë së zotit Rama. Duke gjykuar nga gjuha e letrës së hapur të zotit Rama, ai mund të dojë që të bëjë luftë politike dhe të debatojë për të shkuarën, por tani nuk është koha që ne të fokusohemi mbi mosmarrëveshjet tona”, - ishte qëndrimi i partisë kryesore të mazhorancës. Në këtë mënyrë, ka marrë fund dhe shpresa se do të mund të kishte një debat publik mes dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të parapara për vitin 2013. a.q/NOA

KOMENTE
  • Zenel Daci19:32 - 03 Tetor 2011
    para se te takohen keta dy duhet nato me i thir me u hy ne mes se kallin luften e 3et botrore hehehehhehe