English

Sot jepet pretenca për të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit

Tiranë, 3 tetor 2011, NOA – I zvarritur për mëse tre vjet në dyert e gjykatës, sot pritet të jepet pretenca për 29 të pandehurit e njërit prej gjyqeve më të rëndësishëm të viteve të fundit, atij mbi tragjedinë e Gërdecit, që i mori jetën 26 personave dhe lëndoi mbi 300 të tjerë në shpërthimin tragjik të fabrikës së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec, në 15 marsin e vitit 2008. Ishte Gjykata e Tiranës, që i dha të drejtën prokurorëve të japin pretencën të hënën e 3 tetorit mbi të pandehurit e tragjedisë. Shpërthimi i fabrikës së demontimit në Gërdec tronditi opinionin publik edhe për faktin se ekzistenca e kësaj fabrike demontimi municionesh doli në pah publikisht prej shpërthimit tragjik që tronditi kryeqytetin vetëm 25 km larg në vijë ajrore duke marrë jetën e dhjetëra personave dhe duke shkatërruar ndërtesa e banesa aty pranë. Ata që humbën jetën nga shpërthimi punonin e demontonin municione luftarake në fabrikën “Alba Demil” në kushte çnjerëzore për të nxjerrë bukën e gojës. Megjithatë sikurse ndodh shpesh në gjykatat shqiptare, viktimat e tragjedisë mbetën pa u shpaguar, ndërsa ata që shkaktuan tragjedinë presin sot pretencën e prokurorëve. Nuk dihet se cili do të jetë dënimi për 29 të pandehurit e këtij gjyqi, por ajo që dihet është se të akuzuarit si shkaktarë të tragjedisë përgjatë kësaj kohe janë gjykuar në arrest shtëpie. Familjarët e viktimave të këtij shpërthimi tragjik akuzuan në krye të herës edhe drejtues të ministrisë së Mbrojtjes, ushtarakë të lartë madje edhe ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Procesi gjyqësor mbi tragjedinë e Gërdecit do të kujtohet për sorrollatjet e tij, për seancat e pambajtura për mungesë avokatësh dhe të pandehurish sesa për nxjerrjen në dritë të fakteve të vërteta të një ngjarjeje tragjike që mori jetë njerëzish në një vend të Europës, i cili vetëm një viti më pas, në 4 prillin e 2009-ës u bë vend anëtar i NATO-s. Por mesa duket zgjatja e gjyqit ishte një alibi e mirë e avokatëve për të tejkaluar afatet e paraburgimit të klientëve të tyre, e për të nxjerrë jashtë kangjellave të burgut në liri, katër të pandehurit kryesorë të këtij gjyqi, Mihal Delijorgjin ish-administratori i fabrikës “Albademil”; Ylli Pinarin ish-drejtori i kompanisë MEICO; Dritan Minxhollin ish-drejtori i fabrikës; e Sokol Ngjecin ish-shefi i kontrollit të municioneve në fabrikën e demontimit në Gërdec. mit/NOA

KOMENTE