English

Vrasja e Salihut, Prishtina nesër në ditë zie

Prishtinë, 3 tetor 2011, NOA- Qyteti i Prishtinës nesër do të jetë në ditë zie, në shenjë nderimi për humbjen e Remzi Salihut, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës. Në një mbledhje në Komunën e Prishtinës, e kryesuar nga Halim Halimi, drejtor i Drejtorisë së Administratës, të pranishmit dënuan njëzëri si akt barbar vrasjen e Salihut, në vendin e tij të punës, duke u mbajtur edhe një minutë heshtje. Në këtë mbledhje u vendos që nesër më 4 tetor 2011, të shpallet ditë zie, në Komunën e Prishtinës, me rastin e vrasjes së Remzi Salihut, dhe flamuri shtetëror të vendoset në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet e Komunës së Prishtinës, si dhe nesër nuk do të punohet në Komunën e Prishtinës dhe në të gjitha institucionet shkollore. Ndërsa sot në orën 20:00, kolegë, miq, arsimtarë dhe nxënës të shkollave të Komunës së Prishtinës, para Teatrit Kombëtarë, në Bulevardin “Nëna Terezë”, ndezën qirinj, në shenjë proteste për vrasjen mizore të njeriut të parë të arsimit në Komunën e Prishtinës. Sakaq mësohet se po nesër në orën 11:00, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës do të mbahet një mbledhje komemorative, kushtuar jetës dhe veprës së Remzi Salihut, ndërsa nga ora 11:30 deri në orën 13:00, në objektin të Komunës së Prishtinës do organizohen homazhe për të ndierin, për tu përcjellë në orën 16. 00 për në banesën e fundit në varrezat e fshatit Prapashticë. a.y/NOA

KOMENTE