E hënë, 3 tetor 2011, NOA- Ditën e sotme ka nisur viti i ri akademik për Shkollën e Magjistraturës. Me këtë rast u organizua, një ceremoni për studentët e saj ekzistues dhe 17 studentët e rinj, të cilët do të bëhen gjykatës dhe prokurorë në fund të trajnimit trevjeçar. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbikëqyri procesin e provimeve të pranimit, për vitin e dytë radhas, duke filluar nga testimi me shkrim i 244 kandidatëve, deri në shpalljen e rezultateve. Me këtë rast duke iu drejtuar të pranishmëve, Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth, theksoi rëndësinë që ka Shkolla e Magjistraturës në përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm të sistemit gjyqësor, si dhe bashkëpunimin afatgjatë midis Prezencës dhe Shkollës. “Në këndvështrimin tim, Shkolla e Magjistraturës siguron themelet më të qëndrueshme për një sistem drejtësie të efektshëm dhe transparent në Shqipëri. Kjo është vendimtare në ndërtimin e një sektori drejtësie cilësor dhe funksional. Prezenca e OSBE-së ka qenë një vëzhguese dhe mbështetëse e interesuar në procesin e përzgjedhjes së “gurëve” për ndërtimin e këtij themeli, përmes monitorimit të procesit të provimeve të pranimit”, tha ai. Nga ana e saj, Drejtorja e Shkollës së Magjistraturës, Mariana Semini, tha se qëllimi i shkollës është të përgatisë gjykatës dhe prokurorë profesionistë, të cilët respektojnë parimet e pavarësisë dhe paanësisë. Krahas ndihmës në përzgjedhjen e studentëve të rinj, Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, ka organizuar edhe seminare trajnimi të specializuara për gjykatës e prokurorë. Pjesa më e madhe e tyre kanë pasur në fokus Shërbimin e ri të Provës dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, dy fusha në të cilat Prezenca ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive. a.y/NOA
Në foto: Ambasadori Eugen Wollfarth