Tiranë, 4 tetor 2011, NOA – Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se deri në vitin 2013 do të asgjësohen edhe rreth 45 mijë ton municione të trashëguara nga e shkuara duke përfunduar kështu aksionin e demilitarizimit të municioneve dhe armatimit të trashëguar nga periudha e komunizmit e më herët. Imami ritheksoi se asgjësimi i municioneve të tepërta kontribuon për sigurinë e Shqipërisë dhe për rritjen e standardeve të FA-ve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. Në kuadër të konferencës me të njëjtin titull, ministri Imami duke iu referuar faktit se në territorin shqiptar kishte me mijëra prona dhe mijëra ton municione të tepërta e të panevojshme që kishin zaptuar mjediset që mund të shërbenin për stërvitjen e ushtarëve tanë, deklaroi se kjo shërbeu si pikënisje për aksionin e asgjësimit të municioneve të tepërta luftarake. “Asgjësimi i municioneve të tepërta mbetet prioritet i qeverisë sonë”, tha ministri Imami, duke bërë me dije se sasitë e asgjësuara të municioneve janë impresionuese. Në këtë suazë ministri i Mbrojtjes, bëri me dije se është bërë e mundur të reduktohen 12 depo me municione dhe mbeten deri në fund të 2013-ës edhe 23 të tjera. Sipas Imamit këta nëntë muaj janë asgjësuar 19 mijë ton municione. Imami i cilësoi të sigurta linjat e asgjësimit të municioneve, duke theksuar se pa mbështetjen e fuqishme të qeverisë dhe miqve ndërkombëtarë në këtë proces nuk do t’ia kishin dalë mbanë. Në konferencë marrin pjesë Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, Ambasadorja e Gjermanisë Carolla Müller Holtkemper, Ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth, ambasadorë dhe Atashe Ushtarakë të vendeve të ndryshme të akredituar në Tiranë. Në fokus të konferencës është puna e bërë dhe progresi i arritur deri tani nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, në drejtim të asgjësimit të municioneve dhe sasive të tepërta të eksplozivit, eliminimin e armatimit, teknikës dhe materialeve të tepërta, si dhe evidentimin, plotësimin e dokumentacionit dhe eliminimin e pronave të tepërta. mit/NOA