English

Burgaj: Policimi në Komunitet për të kuptuar shqetësimet dhe gjetur zgjidhje

E martë, 4 tetor 2011, NOA- Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në bashkëpunim me Shoqatën e Drejtorëve të përgjithshëm të Policisë së Europës Juglindore e njohur ndryshe si SEPCA, së bashku me OSBE zhvilluan forumin e 6-të rajonal të “Policimit në komunitet”. Mësohet se ky aktivitet do të zhvillohet për dy ditë me radhë, në datat 4 - 5 tetor, ku gjatë tij do të ngrihen edhe grupe të përbashkëta pune me pjesëmarrësit në Forum, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe ballafaqimin e ideve në lidhje me Policimin në Komunitet. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, theksoi se, “Të gjithë ne e dimë se motoja e Shërbimit Policor është “ të shërbejmë dhe të mbrojmë” por unë do të doja të shtoja edhe të “komunikojmë dhe të ndërveprojmë” me publikun e komunitetin në shërbim të së cilit jemi”. Në vijim ai shtoi se një ndër prioritetet e punës së Policisë është parandalimi i krimit e pastaj luftimi i tij dhe në këtë kuadër ai veçoi faktin se Policimi në Komunitet ka një rëndësi të jashtëzakonshme në punën e policisë për të kuptuar se cilat janë shqetësimet e publikut si edhe të bashkëpunohet me komunitetin për të gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme. Burgaj shprehu bindjen se ky Forum do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit mes shërbimeve tona policore si edhe në shkëmbimin e eksperiencave më të mira. Nga ana e tij, përfaqësuesi i SEPCA-s, Stanislav Bezovsky, u shpreh se, “Shërbimet policore, anëtare të SEPCA-s, e kanë piketuar Policimin në Komunitet si një nga rolet më të rëndësishme dhe një nga reformat më të rëndësishme për t’u kryer në shërbimet tona të policisë, në mënyrë që ato të orientohen jo vetëm drejt qeverisjes, por edhe ndaj njerëzve”. Ndërkaq përfaqësuesi i OSBE-së, Guy Vinet, tha se, Policimi në Komunitet është shumë i rëndësishëm për lidhjen kryesore mes policisë dhe komunitetit. Vinet theksoi se, “Policimi në Komunitet është një filozofi dhe një strategji që promovon partneritetin dhe bashkëpunimin midis policisë dhe komunitetit në mënyrë që të identifikohen dhe reduktohen krimet, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e jetës dhe të drejtës për këdo. Kjo strategji përfshin pa dallim zonat rurale, grupe njerëzish me interesa të përbashkëta dhe mua më pëlqen që “Policimi në komunitet”, të përkufizohet si një filozofi pune”. Në këtë aktivitet dy ditor marrin pjesë përfaqësues nga vende të ndryshme, si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Kroacia, Zvicra, si dhe nga OSBE dhe SEPCA. a.y/NOA

Në foto: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj

KOMENTE