English

Demontimi, Arvizu: Një mënyrë për të rregulluar gabimet e së shkuarës

Tiranë, 4 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu deklaroi sot se, demontimi i municioneve në Shqipëri është një mundësi e mirë për rregullimin e gabimeve të së kaluarës. Ai theksoi në konferencën e demontimit të armëve, që u mbajt sotTiranë se, nevoja për eliminimin e armëve të rrezikshme bëhet në mënyrë, që të parandalohen aksidente të mundshme që mund të dëmtojnë jetën e banorëve dhe një ulje e rrezikut që këto armë të përfundojnë në duart e terroristëve. “Sa më shumë që të bëjmë për të pakësuar tepricat e armëve dhe municioneve anembanë botës dhe sa më shumë të bëjmë për të ndihmuar vendet për të patur një menaxhim të duhur të rezervave, aq më pak do të jetë e mundur që mjete të tilla të përfundojnë në duart e trafikantëve, kriminelëve dhe terroristëve, qofshin këta në Shqipëri apo në të gjithë botën dhe do të kemi gjithashtu një shans më të mirë për të parandaluar aksidentet, të cilat mund të marrin jetë të pafajshme të njerëzve që jetojnë pranë këtyre depove të municioneve dhe të armëve”, deklaroi diplomati amerikan. "Besoj se është e rëndësishme që njerëzit të sjellin ndër mend që edhe përpara tragjedisë së tmerrshme të marsit të vitit 2008, SHBA kanë investuar më shumë se 8.5 milionë dollarë për ndërhyrjen si pjesë e asistencës për shkatërrimin e armëve dhe municioneve në Shqipëri", tha ambasadori i SHBA. Ai ka theksuar se SHBA-ja ndihet krenare për ndihmën e dhënë në procesin e rëndësishëm të demontimit të armëve dhe municioneve në Shqipëri ndërsa ka kujtuar ndihmën e dhënë ndaj vendit tonë që në vitin 1998 dhe që vazhdon edhe së fundi me një grant të ri. “Duhet punuar për menaxhim të duhur të rezervave, sa më mirë të bëhet kjo, aq më pak do jetë e mundur që mjete të tilla të përfundojnë në duart e trafikantëve apo terriristëve dhe do kemi shans për të ndihmuar jetët e pafajshme që mund të shkaktohen si pasojë e aksidenteve”, tha Arvizu. Ai konfirmoi se SHBA do të vazhdojë të mbështesë pastrimin e zonave nga armët e rrezikshme, duke vlerësuar ndërkohë edhe angazhimin e Qeverisë shqiptare në këtë proces. “Shpesh herë flasim për konfigurimin e Shqipërisë në NATO. Shqipëria është një anëtare krenare e NATO-s, sepse është një vend kyç dhe kontribues për sigurinë rajonale, stabilitetin rajonal. Një prej gjërave që po bëjmë është të inkurajojmë besimin në vendet fqinje në Ballkan. Kemi inkurajuar Shqipërinë dhe shumë prej fqinjëve të saj në Evropën Juglindore që të marrin pjesë në qasjen rajonale për uljen e tepricave të armëve dhe municioneve dhe së fundmi palët janë takuar në Lubjanë për të diskutuar për shkatërrimin e armëve dhe municioneve të tepërta”, tha Arvizu. Diplomati amerikan nënvizoi se qeveria shqiptare po i plorëson detyrat e saj në drejtim të demontimit të municioneve. a.q/NOA

KOMENTE