English

Frika e Berishës

Përtej arsyeve të kryeministrit për t’iu shmangur debatit të shumëpritur me liderin e opozitës, të cilat janë analizuar gjerë e gjatë nga shumë opinionistë, më tërhoqi vëmendjen një shkrim i gazetarit Blendi Fevziu Nga Endri Fuga Refuzimi zyrtar i kryeministrit për t’u përballur në një debat publik me liderin e opozitës, ishte lajmi kryesor i ditës së hënë dhe me gjasë do të jetë një temë e debatuar e të gjithë javës politike që sapo ka filluar e më gjatë. Kjo jo vetëm për faktin se refuzimi për të debatuar me Edi Ramën ishte refuzimi i dytë brenda së njëjtës ditë, që Sali Berisha iu bëri ofertave e kërkesave të opozitës, por, edhe sepse ideja për të përballur në një debat publik Sali Berishën me Edi Ramën këtë herë ishte një sfidë e drejtpërdrejtë e kryeministrit në hije ndaj kryeministrit në detyrë dhe jo thjesht një ide e lëshuar spontanisht nga ndonjë palë e tretë. Dhe pakkush mendonte se Sali Berisha do të zmbrapsej përpara një sfide të tillë. Përtej arsyeve të kryeministrit për t’iu shmangur debatit të shumëpritur me liderin e opozitës, të cilat janë analizuar gjerë e gjatë nga shumë opinionistë, më tërhoqi vëmendjen një shkrim i gazetarit Blendi Fevziu. Duke qenë se bëhet fjalë për një gazetar të vjetër e me përvojë, e për më tepër për një nga moderatorët e suksesshëm të debateve politike, logjika ta donte që zoti Fevziu në shkrimin e tij të merrej më pak me dështimin e debateve të shkuara dhe të fokusohej më shumë tek nevoja për një debat mes Ramës e Berishës. Madje, pikërisht për shkak të profesionit të tij, prisja që zoti Fevziu të ishte një nga njerëzit që do të ushtronte influencën e tij publike dhe personale mbi Kryeministrin për ta bindur të mos kishte frikë nga një përballje e tillë. Sepse, në fund të fundit, nëse do të perifrazoja vetë zotin Fevziu, ai që i shmanget debatit shihet gjithnjë si më i dobëti dhe i humburi në sytë e opinionit publik. Por opinioni në fjalë shtron po ashtu nevojën e disa saktësimeve të tjera që mendoj se janë me vend për të ndihmuar të gjithë lexuesit për të pasur një tablo më të qartë e më realiste të situatës. Së pari, në dallim nga debati me zotin Mustafaj, në zgjedhjet vendore të vitit 2007 dhe 2011, përballja më e natyrshme e Edi Ramës në një debat publik do të kishte qenë me vetë Sali Berishën e jo me kandidatët e Sali Berishës për Bashkinë e Tiranës. Dhe për hir të së vërtetës, në zgjedhjet e fundit lokale një përballje e kësaj natyre mes Ramës e Berishës do të kishte qenë realisht e rëndësishme dhe e nevojshme për vetë karakterin politik që mori fushata zgjedhore, sidomos pas vrasjeve të 21 Janarit. Për të mos harruar pastaj që kandidati i Berishës për Bashkinë e Tiranës përgjatë gjithë fushatës zgjedhore, jo vetëm që u fshihej kamerave të cilat nuk ishin plotësisht nën kontrollin e tij dhe mediave që nuk pranonin materialet filmike të montuara prej stafit të fushatës së tij, por madje i refuzoi edhe vetë zotit Fevziu ftesën për një bisedë kokëkokë në studion e “Opinionit”. Së dyti, është e pavërtetë të thuash se Rama i është shmangur debateve me Berishën në një kohë që vetëm gjatë vitit të fundit lideri i opozitës e ka pranuar dy herë ftesën për të debatuar publikisht me Kryeministrin në tryezat publike të organizuara nga ky i fundit, njëherë në lidhje me reformën zgjedhore dhe herën tjetër në lidhje me planin e qeverisë për të shembur Piramidën. Dhe për ironi të fatit, të dyja këto debate publike janë zhvilluar në një periudhë joelektorale. Është po ashtu i pavërtetë pretendimi i Berishës se Rama s’paska pranuar të debatojë me të para zgjedhjeve të vitit 2009, pasi në atë rast kryeministri nuk bëri asnjë ftesë publike përveç ndonjë fjale të hedhur në media se ishte gati të përballej me liderin e opozitës. Për hir të së vërtetës të njëjtën gjë e ka bërë në disa raste edhe Edi Rama në përgjigje të interesimit të gazetarëve, po kjo nuk mund të quhet ftesë për debat dhe aq më pak pastaj mund të krahasohet me rastin konkret kur kryeministri në hije e ka sfiduar publikisht kryeministrin në detyrë në një moment tejet delikat për vendin. Tek ky moment ia vlen të ndalesh pak më gjatë sepse pikërisht këtu duhet kërkuar ndryshimi themelor mes debateve që nuk ndodhën kurrë në të shkuarën dhe debatit që po refuzohet sot prej kryeministrit. Sepse përtej rasteve specifike që i përkasin të shkuarës dhe që në të gjitha rastet s’mund të kushtëzojnë të sotmen apo të ardhmen, arsyeja më e fortë përse duhet të ketë sa më parë një përballje publike mes Kryeministrit dhe liderit të opozitës, është situata në të cilën ndodhet sot Shqipëria: Një situatë që nuk i afrohet asfare normalitetit demokratik, ku liderët e dy forcave të mëdha politike duhet të presin zgjedhjet për të debatuar në sytë e opinionit publik. Kemi të bëjmë me një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin, kur për të dytën herë, në mënyrë të përsëritur e të papreçedentë, Bashkimi Europian sipas të gjitha gjasave, fatkeqësisht, do t’i refuzojë Shqipërisë, statusin e vendit kandidat. Në këto kushte, kur të gjithë shqiptarët duan të dalin nga kjo krizë që e bën Bashkimin Europian tejet kritik ndaj vendit tone, kur të gjithë duan të dinë e të informohen se si e shohin palët daljen nga kjo situatë, por kur media shqiptare është gjithmonë e më shumë nën kontrollin apo nën presionin e pushtetit dhe qëndrimet e palëve rëndom deformohen qëllimisht, nuk ekziston asnjë mënyrë më e mirë për ballafaqimin e alternativave të opozitës e qeverisë sesa kjo përballje të drejtëpërdrejtë, publike, mes personit që qeveris e atij që pretendon të qeverisë në të ardhmen. Do të ishte vërtet një fatkeqësi sikur kjo t’u bëhet shqiptarëve e pamundur në këtë moment dhe që për më tepër shumëkujt, t’i duket si diçka krejt normale. Sepse vetë fakti që kryeministri i vendit ka frikë nga një përballje publike me liderin e opozites tregon më së miri se sa jo normal është momenti që po kalon vendi. Sot, në kushtet ku ndodhet Shqipëria, një debat publik mes Ramës e Berishës do të ishte i domosdoshëm, jo për përftimin politik të njërit apo tjetrit, por për të mirën e qytetarëve, që do të shihnin si mund të ballafaqohen në mënyrë të civilizuar dy vizione dhe projekte krejt të ndryshme për rrugën e integrimit. Dhe në fund të fundit ky do të ishte edhe një debat i shëndetshëm edhe për vetë median, ku siç e di fare mirë vetë zoti Fevziu, debatet shpesh bllokohen pikërisht siç po përpiqet Berisha të bllokojë këtë debat të shumëpritur nga shqiptarët. * Drejtor i Komunikimit në Partinë Socialiste

KOMENTE