English

Maqedoni, Regjistrimi i popullsisë pritet të zgjasë një muaj

Shkup, 4 tetor 2011, NOA – I nisur në 1 tetor regjistrimi i popullsisë në Maqedoni pritet të zgjasë deri në fund të muajit. Burime pranë Komisionit Shtetëror të Regjistrimit thanë për agjencinë e lajmeve INA se përfaqësuesit e komisionit janë të gatshëm të vazhdojnë procesin e regjistrimit të popullsisë. Arsyeja e shtyrjes së regjistrimit bëhet për problemet teknike dhe organizative në terren. Në rast se do të arrihet kompromisi final, atëherë KSHR do t’i dorëzojë Parlamentit propozimin për ndryshimin e Ligjit për regjistrimin në pjesën e kohëzgjatjes. Në KSHR pranojnë se që nga fillimi i regjistrimit janë hasur probleme lidhur me zbatimin e procesit në të 44 rajonet e regjistrimit. Janë evidentuar rajone ku akoma nuk kanë formuar ekipet e regjistrimit si dhe tendencat që regjistrimi në disa zona të realizohet vetëm nga ekipet njëetnike të regjistruesve. Në zona etnikisht të pastra shqiptare siç është komuna e Likovës nuk janë paraqitur regjistruesit maqedonas dhe serbë, të cilët hezitojnë të jenë pjesë e këtij procesi në këtë rajon. Ndërsa nga ana tjetër, në zonat tjera të Maqedonisë Lindore si në Manastir, Prilep, Veles mungojnë regjistruesit shqiptarë. Mundësinë për të shtyrë këtë operacion të numërimit nuk e kanë përjashtuar edhe partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI. “Po kërkojmë mënyra për të tejkaluar situatën e krijuar. Është vënë në tryezë edhe propozimi për shtyrjen e afatit të regjistrimit”, deklaroi nënkryetari i KSHR-së, Bujar Osmani. KSHR pohon se po shqyrton mundësinë për të zgjidhur sa më shpejt këto çështje organizative, andaj edhe kërkohet shtyrja e kohëzgjatjes së procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni. INA/NOA

KOMENTE