English

Marrëveshja e UT me policinë: Tani leksione edhe për uniformat blu

Tiranë, 4 tetor 2011, NOA – Një marrëveshje e veçantë është firmosur sot mes policisë së shtetit dhe rektoratit të Universitetit të Tiranës. Marëveshja e nënshkruar nga rektori Dhori Kule dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj, synon rishikimin e programeve ekzistuese dhe hartimit të programeve të reja e kurrikulave mësimore, si dhe akreditimin e programeve mësimore që zhvillohen në sistemin arsimor të Policisë së Shtetit, sipas sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Në kuadër të kësaj marrëveshje Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me Universitetin e Tiranës duke shkëmbyer eksperiencat dhe praktikat më të mira pedagogjike mes stafeve të dy institucioneve, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, realizimit të projekteve kërkimore dhe publikimeve shkencore me interes të përbashkët. “Nënshkruajmë një dokument shumë të rëndësishëm, ndoshta hera e parë e këtyre përmasave, me qëllimin e vetëm për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve si një polici transparente, e hapur dhe në shërbim të plotë të komunitetit” tha Burgaj në fjalën e tij. Kule e konsideroi si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. “Ne kemi shfaqur gatishmërinë që në mënyrë reciproke Universiteti i Tiranës dhe Policia e Shtetit, të marrim pjesë, të angazhohemi, të kontribuojmë edhe për projekte të tilla që tashmë fatmirësisht Policia e Shtetit po i bën prezente dhe evidente në Shqipëri. Një prej tyre ka qenë projekti i IT-së dhe i zhvillimit të dixhitalizimit, të përdorimit të mjeteve të sofistikuara, që Policia e Shtetit po përdor në territorin e Shqipërisë, ku Universiteti i Tiranës me specialistët e vet do të jenë pjesë e kontributit dhe bashkëpunimit për këto zhvillime progresive që ka Policia e Shtetit.” theksoi Kule. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje synohet gjithashtu organizimi i seminareve dhe konferencave të ndryshme të përbashkëta në fushën e parandalimit dhe hetimit të krimit, përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe forcimin e besimit të publikut te policia. a.q/NOA

KOMENTE