English

Peshkonin me lëndë plasëse në Porto Romano, kapen në flagrancë

Durrës, 4 tetor 2011, NOA – Ndërsa qeveria e ka shpallur kultivimin e peshkut në ujërat e ëmbla dhe të kripura në vend si një projekt të rëndësishëm kombëtar, policia kufitare e Durrësit është vënë në aksion për të ndaluar të gjithë ata që peshkojnë në mënyrë të paligjshme. Lajtmotiv i aksionit janë një plan masash kundër atyre që peshkojnë duke përdorur lëndë të rrezikshme. Në kuadër të aksionit paraditen e të hënës u kapën në flagrancë tre persona që po peshkonin me lëndë plasëse artizanale në zonën e Porto Romanos. Efektivët e policisë kufitare i ndaluan e po i hetojnë në gjendje të lirë tre personat me iniciale K.S., 26 vjeç; H.B., 57 vjeç; M.R., 58 vjeç, që të tre banues në qytetin e Durrësit. Gjatë operacionit policia kufitare sekuestroi dy fitila zjarrpërcjellës dhe një sasi pluhuri, që shërben për të realizuar lëndë plasëse. Tre të ndaluarit janë nën akuzë për veprën penale të peshkimit të ndaluar. mit/NOA

KOMENTE