English

Projektligji i plotë i PS, sa ulet TVSH-ja tek ushqimet dhe ilaçet

Tiranë, 4 Tetor 2011 NOA – Partia Socialiste e ka përfunduar dhe ka dorëzuar projektligjin për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) tek disa artikuj të konsumit të përditshëm dhe heqjen tërësore të disa të tjera dhe tek medikamentet. Mimi Kodheli, deputete e Partisë Socialiste, një ndër nismëtaret dhe udhëheqëset e këtij projektligji, i tha agjencisë NOA se “kjo nismë gjen mbështetjen edhe në programin politik të Partisë Socialiste, si forca politike që gjendet më pranë qytetarëve shqiptarë në këtë periudhë krize që ka përfshirë ekonominë e vendit tonë”. Ndaj Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, bazuar në Kushtetutë, paraqet për shqyrtim dhe miratim në Kuvend këtë nismë legjislative. Ushqimet bazë të shportës konsumatore, sot në Shqipëri, zënë më shumë se gjysmën e buxhetit të çdo familjeje me të ardhura mesatare, ndërkohë që shumica dërrmuese e familjeve shqiptare në fund të muajit, nuk kursejnë dot asgjë nga të ardhurat e tyre. PS konsideron se kjo periudhë vazhdon të karakterizohet nga një rritje e ngarkesës fiskale, nga një shtrenjtim i mallrave dhe shërbimeve jetikë si dhe një shpërndarje e pabarabartë e pasurisë së vendit. Opozita po ashtu vëren se barra fiskale për çdo familje shqiptare gjatë 5 viteve të fundit është rritur me 18 %. Gjatë kësaj periudhe megjithëse të ardhurat disponibël për konsum ishin rritur me 44 %, vetëm disa nga zërat bazë për të përballuar jetesën e përditshme janë rritur si më poshtë :

• Energjia elektrike është rritur 62 %; • Barnat janë rritur 43 %; • Shërbimi shëndetësor është rritur 50 %; • Mielli, Buka, Sheqeri, Vaji, Orizi janë rritur mesatarisht me 52 %. Kryesisht për shkak të krizës ekonomike dhe financiare që ka mbërthyer prej kohesh ekonominë globale çmimet ndërkombëtare, sidomos të produkteve bazë, gjatë këtyre pesë viteve të fundit janë dy ose trefishuar. Kështu p.sh., në vitin 2006 çmimi i orizit ishte 325 $/ton, sot është 1010 $/ton, sheqeri brenda të njëjtës periudhë ishte 300$/ton, sot është 1100 $/ton, vaji ishte 700 $/ton ndërsa sot është 1200 $/ton dhe gruri ne vitin 2006 ishte 100 $/ton ndërsa sot është 350 $/ton. Gjatë gjithë kësaj periudhe, qeveria nuk ka bërë asgjë tjetër përveç se ka vazhduar të tatojë konsumatorin shqiptar, që është ai që në fund paguan bashkë me çmimin TVSH-në, në masën 20%. Për PS, kjo do të thotë se çdo njeri prej nesh ka paguar me disafish më shumë TVSH në vite ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për ta parandaluar këtë rritje në kurriz të konsumatorëve, sidomos atyre me të ardhura të pakta. Ndërkohë, prej disa vitesh, në Shqipëri është vendosur një sistem i plotë referencash ku në mënyrë arbitrare qeveria përcakton nivelet e çmimeve, duke ndikuar padrejtësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë në treg dhe në konkurrencën e lirë. Për fat të keq, - vë në dukje opozita, - vetëm pak pasi në janar të këtij viti u fut në skemën e TVSH-së dhe taksimi i ilaçeve me 10%, u pa se çmimi i ilaçeve jo vetëm që nuk u ul, por u rrit në rastin më të mirë, në masën e TVSH-së së vendosur, pra 10% dhe se ky eksperimentim dështoi. Heqja e TVSH-së për ilaçet do të lehtësonte pagesën e tyre për qytetarët në masën 1,3 mld lekë. PS vëren edhe se përgjatë kësaj periudhe është rritur edhe çmimi i naftës e nënprodukteve të saj. Kjo si për shkak të lëvizjeve të çmimit në tregun ndërkombëtar dhe për shkak të rritjes së barrës fiskale që qeveria ka bërë në lidhje me këtë produkt, gjë që ka çuar në rritjen e mëtejshme të çmimit të produkteve që në kosto e tyre mbartin dhe atë të karburantit. Në kushtet kur varfëria jo vetëm që nuk është ulur, por është rritur, kujtojmë këtu se janë rreth 120 mijë familje shqiptare që mbahen me ndihmë ekonomike, sidomos në zonat rurale të vendit, në kushtet kur shifra e papunësisë po ashtu është rritur, në kushtet e një ngadalësimi të mëtejshëm të ritmeve të rritjes ekonomike, del e domosdoshme që të rritet konsumi. Një ndër mënyrat për ta bërë këtë është padyshim ulja e barrës fiskale për familjet me të ardhura mesatare apo nën mesatare, - konstaton Partia Socialiste. Në kushtet e problemeve serioze me deficitin dhe borxhin publik (sovran) të ekonomisë tonë, po ashtu si dhe të shumë ekonomive rajonale apo më gjerë, propozimi i grupit parlamentar të PS është një përpjekje serioze, për të rritur efikasitetin e administratës tatimore, uljen e evazionit të madh fiskal dhe mundësimin e luftës ndaj korrupsionit, me qëllim dhe në funksion të rritjes së konsumit dhe uljes së varfërisë në vend. Opozita vlerëson se përshkallëzimi i TVSH-së me 0, 10 dhe 20%, teknikisht nuk duhet të sjellë probleme në zbatim, pasi vendosja e kasave fiskale duhej tashmë të kishte ulur në mënyrë të dukshme evazionin fiskal në të gjitha hallkat. Nevojat për mallrat vaj, sheqer, oriz plotësohen të gjitha nga importi dhe përgjysmimi i TVSH-së për këto mallra do të sillte një efekt në buxhetin e shtetit jo më të madh se 1,8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt jo më shumë se 1,9 mld lekë. Në këtë pikë, PS vlerëson se efektet financiare pasojë e kësaj nisme ligjore mund të përballohen nga të ardhurat e siguruara nga dhënia e licencës së II të 3G një kompanie të telefonisë mobile, por edhe nga përmirësimi i administrim fiskal e veçanërisht uljes së evazionit fiskal. Duke vlerësuar momentet e vështira që po kalojnë shtetasit shqiptarë, si në qytet edhe në fshat, rritjen galopante të çmimeve të të gjitha mallrave ushqimore dhe industriale, pamundësinë për blerjen e ushqimeve kryesore për jetesë si dhe uljen drastike të fuqisë blerëse, deputetët e opozitës propozojnë këtë projektligj, me qëllimin kryesor për të lehtësuar përballimin e jetesës së shqiptarëve, nëpërmjet lehtësimit të barrës fiskale dhe ndikimit direkt te çmimi i këtyre produkteve. Ata mendojnë nga ana tjetër se ulja e çmimeve do të kontribuonte në rritjen e kërkesës, për këto produkte. Ndryshimet kryesore që propozohen të bëhen në ligj janë si më poshtë: Pas nenit 24/1 të shtohet neni 24/2 me këtë përmbajtje : “Furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, janë furnizime që tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën 10%, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”. Pas nenit 24/2 të shtohet neni 24/3 me këtë përmbajtje : “Furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”. Pika 2 e nenit 30 të hiqet. Kuptimi i neneve të propozuara është që furnizimet me mallrat bazë të shportës konsumatore: miell, bukë, qumësht, vezë, dhe ilaçe, janë shërbime të tatuara në masën 0 % TVSH, ndërsa furnizimet me vaj, sheqer dhe oriz janë furnizime të tatueshme në masën 10% të TVSH-së. Projektligji i propozuar është në përputhje me Kushtetutën si dhe me legjislacionin fiskal që ka lidhje me të. Konkretisht projektligji është në përputhje me nenin 4 të ligjit nr. 9920, datë 15.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Më poshtë vijon projektligji i plotë që do të hidhet për votim në Kuvend:

REPUBLIKA E SHQIPERISE

KUVENDI

Projekt

L I G J

Nr......, datë ......09.2011

“PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NE LIGJIN NR.7928, DATE 27.04.1995 “PER TATIMIN MBI VLEREN E SHTUAR”, I NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 78,81, 83 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,

K U V E N D I

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I :

Në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime :

Neni 1

Pas nenit 24/1 te ligjit, të shtohen nenet 24/2 dhe 24/3 me këtë përmbajtje:

“Neni 24/2

“Furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, janë furnizime që tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën 10%, duke filluar nga dt. 1 janar 2012”.

Neni 24/3

Duke filluar nga dt. 1 janar 2012, furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetsore nga institucionet shëndetsore, publike dhe private, është furnizim i përjashtuar.”

Neni 2

Pika 2 e nenit 30 të hiqet.

Neni 3

Ngarkohet Ministria e Financave të nxjerrë udhëzimet në zbatim të këtij ligji.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 dite pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga 1 Janari 2012.

K R Y E T A R I

Jozefina Topalli (Çoba)

KOMENTE