English

Protestë në Tetovë “Drejtësi Po, Hakmarrje Jo”

Tetovë, 4 tetor 2011, NOA- Protesta organizohet me moton “Drejtësi Po, Hakmarrje Jo”, dhe ka për qëllim sensibilizimin e opinionin vendor dhe ndërkombëtar, me gjykimet e padrejta kundër dhjetëra shqiptarëve. Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, me seli në Kumanovë, në bashkëpunim me Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ‘Kalaja’ me seli në Tetovë, si dhe me familjarët e të burgosurve të pafajshëm, të enjten, më 6 tetor 2011, me fillim në ora 13.00, në Sheshin ‘Iliria’ në Tetovë, organizojnë protestë masovike kundër gjykimeve të padrejta ndaj shqiptarëve. Përmes kësaj proteste masive, do të kërkohet lirimi i të burgosurve të pafajshëm, përmes rikthimit në gjykim nga e para të rastet gjyqësore, siç janë: rasti i Brodecit, Manastirit, Shkupit e Kumanovës, ku njerëz të pafajshëm janë dënuar me dhjetëra vite dhe burg të përjetshëm pa kurrfarë faktesh dhe provash gjyqësore. "Për të gjitha këto padrejtësi janë të informuara me kohë të gjitha instancat relevante vendore dhe ndërkombëtare. Kjo protestë pason grevën dyjavore të urisë që u mbajt në Kumanovë, ku u ngujuan familjarë të të burgosurve të pafajshëm. Ftohen të gjithë shqiptarët, pa dallim partie apo feje, që të marrin pjesë në protestë, dhe bashkërisht ta manifestojmë pakënaqësinë tonë kundër proceseve të montuara gjyqësore", thuhet në njoftimin e këtyre organizatave. (INA)/NOA

KOMENTE