English

Berisha: Viti 2012, viti i projekteve të moshës dixhitale

Tiranë, 5 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në mbledhjen e sotme të qeverisë Kryeministri i vendit Sali Berisha u ndal te dixhitalizimi i vendit, duke thënë se mosha dixhitale është objektiv i qeverisë. “Në një hark kohor 6 mujor kanë përdorur internet dhe shërbimet e tij 2.1 milion shqiptarë, por po përgatiten të hapen dhe 1800 zyra të tjera për internet falas për qytetarët shqiptarë. Ne do bëjmë gjithçka që të zhdukim çdo barrierë dhe pengesë në mënyrë që lundrimi në internet të jetë i mundur për çdo qytetar të këtij vendi. Shërbimet dixhitale janë shërbime më transparente më të shpejta më të sigurta që një qeveri dhe një administratë mund tu ofrojë qytetarëve. Hapa të mëdhenj janë bërë por hapa vendimtarë janë për tu bërë”, u shpreh Berisha. Sipas tij, për të realizuar këtë qëllim janë në zbatim e sipër 125 projekte të cilat janë të shpërndara nëpër ministri sdhe institucione të ndryshme shtetërore. Kreu i Qeverisë shqiptare theksoi se në të gjitha ministritë janë të hartuara 125 projekte, ku kërkoi finalizimin e tyre me çdo kusht brenda 2012-ës, duke theksuar se ky është një objektiv madhor. Ai shtoi se në 100 vjetorin e Pavarësisë Shqipëria do të jetë dixhitale. Kryeministri Berisha u shpreh se, ky 100 vjetor Shqipërinë duhet ta gjejë dixhitale, më transparente dhe më të shpejtë. Berisha veçoi faktin se është e domosdoshme të shqyrtohen të gjitha këto projekte në përputhje me buxhetin, ku përparësi absolute do të kenë ato të projekteve të moshës dixhitale. Në vijim ai tha se tregu i 3G do të bëhet kompetitiv ku shtoi se po përgatiten kushtet edhe për tregun e 4G. a.y.NOA

Në foto: Kryeministri Berisha

KOMENTE