Tiranë, 5 shtator 2011, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet deklaroi se Censusi i popullsisë rrezikon arritjen e standardeve dhe kriteret ligjore për shkak të parregullsive teknike në të gjithë vendin. Partia që mbron interesat e çamëve identifikon rastet e plotësimit të formularit të Censusit me laps, mosparaqitjen e regjistruesve në zonat e tyre dhe probleme të tjera teknike si faktet e rënda që po rrezikojnë direkt zhvillimin e këtij procesi sipas standardeve të kërkuara. Përfaqësuesi i Klubit të patriotëve të Rinj të PDIU-së Florian Tahiri bëri me dije gjatë një konference për shtyp se në rrethet e vendit janë shfaqur probleme të tilla, ku disa regjistrues nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kanë sqaruar ligjin për regjistrimin gjatë procesit. Për shembull, thotë Tahiri, në rastin e pyetjes mbi kombësinë, disa regjistrues të patrajnuar siç duhet, u kanë thënë të pyeturve se deklarimi është i lirë pavarësisht të dhënave që kanë në çertifikatat personale. Duke iu referuar këtij rasti flagrant PDIU i bën thirrje INSTAT-it që të marrë masa për të gjithë regjistruesit, të cilët nuk e kanë kuptuar frymën e ligjit. Sipas PDIU-së ligji përcakton qartë se të dhënat që japin qytetarët, qoftë për pyetjet e detyrueshme dhe jo të detyrueshme duhet të jenë të sakta dhe në përputhje me të dhënat zyrtare që ka shteti shqiptar. Për këtë qëllim, PDIU nënvizon se amendamentet e saj si pjesë e ligjit detyrojnë INSTAT-in që të dhënat që do të përdoren për statistika të jenë ato në regjistrat shtetërorë dhe jo të dhënat e deklaruara në mënyrë të rreme nga disa qytetarë. PDIU paralajmëron të gjithë regjistruesit, qytetarët dhe pjesëmarrësit në këtë proces se ata që do të abuzojnë jashtë frymës së ligjit dhe sidomos amendamenteve të tij do të përballen me pasojat ligjore. Këtu PDIU u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të japin të dhëna të sakta si ato nëpër regjistrat shtetërorë, duke shtuar se e vetmja garanci për procesin e Censusit janë amendamentet e PDIU-së. mit/NOA